Gaza, 4 palestinezë të vdekur nga një shpërthim pranë gardhit kufitar me Izraelin

Katër palestinezë kanë humbur jetën në një shpërthim në Rripin e Gazës, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të ministrisë thuhet se 19 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë disa në gjendje të rëndë, në shpërthimin që ndodhi në Gazën lindore pranë një gardhi sigurie përgjatë kufirit me Izraelin.

Shkaku i shpërthimit nuk është ende i qartë.

Incidenti ndodhi ndërsa qindra palestinezë u mblodhën pranë gardhit të sigurisë për të shënuar përvjetorin e tërheqjes së Izraelit nga territori bregdetar në vitin 2005.

Sipas dëshmitarëve, forcat izraelite qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Izraeli i tërhoqi forcat e tij nga Rripi i Gazës më 22 shtator 2005 si pjesë e një plani nga kryeministri i atëhershëm Ariel Sharon.

Gaza, ku jetojnë afro 2,3 milionë palestinezë, po vuan nga një bllokadë e gjatë izraelite që nga viti 2007, e cila ka ndikuar keq në jetesën në enklavë.