Gaza, varrosjet bëhen në varre masive për shkak të pamundësisë për hapjen e varreve të ndara

Për shkak të numrit gjithnjë në rritje të vrasjeve si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, tashmë varrosjet bëhen në varre masive për shkak të pamundësisë për hapjen e varreve të ndara për të vrarët, raporton Anadolu.

Kamera e AA-së ka filmuar punimet e palestinezëve që detyrohen të varrosin në varre masive rreth 50 trupa për shkak se nuk ka mbetur më vend në varrezën e qytetit Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në pamjet e marra shihet se si të rinjtë tentojnë të kryejnë procedurat e varrimit duke i sistemuar trupat në hapësirat boshe të mbetura në varreza.

– Duhet të gjenden fjalë të tjera për të shpjeguar atë që ka ndodhur

Kreu i bashkisë Deir Al-Balah, Diab Al-Jarv në një deklaratë për AA shpjegoi problemet që përjetojnë. Ai tha se rreth 50 persona kryesisht të zhvendosur humbën jetën si pasojë e shënjestrimit të një shtëpie që i përket familjes Abu Musabbih.

“Në varreza nuk ka mbetur vend për dëshmorët, trupat i varrosim në varre masive. Izraeli i drejtoi njerëzit në Deir Al-Balah duke theksuar se qyteti është i sigurt. Por, Izraeli ka kryer masakër duke lëshuar bomba dhe duke u shembur njerëzve shtëpitë mbi kokë”, thekson Al-Jarv.

Pasi bëri të ditur se në Gaza është përjetuar fatkeqësi e vërtetë, Al-Jarv tha: “U bëj thirrje ekspertëve, personave përkatës dhe gazetarëve. Fjalët si fatkeqësi, masakër, krim, gjenocid nuk mund ta përshkruajnë më atë që po përjetojmë. Tashmë duhet të gjenden fjalë më të thella se këto. Ato që po përjetohen në Gaza dhe kryesisht në Deir Al-Balah, tashmë janë të pamundur të shpjegohen me fjalë”.

– Çfarë faji kanë gratë dhe fëmijët?

Përgjegjësi i varrezave Ensar në Deir Al-Balah, Sadi al-Bereke vuri në dukje se tani nuk ka mbetur më vend në varrezën e bashkisë.

“Të vrarët janë më shumë gra dhe fëmijë. Në mesin e tyre nuk ka as edhe një anëtar të Hamasit. Nëse dëshiron t’i vrasë anëtarët e Hamasit (Netanyahu) le ti vrasë, por çfarë kërkon nga këta gra dhe fëmijë. Duke vrarë gratë dhe fëmijët gënjen popullin e tij duke thënë se po vret elementët e Hamasit”, tha Bereke.

“Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu filloi luftën ndaj Gazës për të shpëtuar nga gjykimet për korrupsion ndaj tij”, tha Bereke i cili më tej shtoi se “Ky person (Netanyahu) është gënjeshtar dhe i dështuar. E ka shkatërruar shtetin e Izraelit”.

Duke i bërë thirrje Netanyahut, Bereke tha se “Ashtu sikur t’i dëshiron që populli yt të jetojë në paqe edhe ne duam që të jetojmë në paqe në territoret tona”.

– Procesi nga emigrimi drejt vdekjes

Omar Naser, një nga banorët e Deir Al-Balah thekson problemet që përjetojnë palestinezët që detyrohen të migrojnë nga veriu në jug të Gazës.

“Më 5 dhjetor në bulevardin ‘Abu Hasani’ në Deir Al-Balah është kryer masakër. Çfarë lidhje kanë këta të zhvendosur me rezistencën. Izraeli u tha atyre të migrojnë nga veriu dhe ata erdhën këtu. Por, edhe këtu u bënë objektiv i Izraelit. Çili është mëkati i këtyre grave dhe fëmijëve?”, tha Naser.

Duke mbrojtur idenë e tij se shënjestrimi i të zhvendosurve tregon dështimin e forcave të Izraelit, Naser tha: “Ne jemi pranë rezistencës deri në pikën e fundit të gjakut tonë. Gaza do të rezistojë dhe do të sakrifikojë për Palestinën dhe Kudsin”.