Gazetari gjerman me histori të trilluara, shkroi për gjakmarrjen dhe burrneshat shqiptare

Gazetari gjerman, fitues i shumë çmimeve në gazetari sot akuzohet për 14 reportazhe të trilluar, me histori dhe emra të fabrikuara nga vetë ai. “Der Spiegel” e ka akuzuar atë për trillim dhe përfitim donacionesh. Claas Reloius ka shkruar edhe dy reportazhe për Shqipërinë në lidhje me gjakmarrjen dhe burrneshat, ku emrat e përdorur të vënë në dyshim për vërtetësinë e tyre.

Nësë të gjitha akuzat që bien mbi të do të vërtetohen, atëherë Claas Relotius duhet të punojë si regjisor hollivudian, pasi trillimet e tija në gazetari e kanë shpërblyer me mjaft çmime në këtë fushë.

Gazeta gjermane “Der Spiegel” do të ngre padi penale ndaj gazetarit të saj Claas Relotius, i cili akuzohet për trillim të historive të tija.

Gazeta akuzon reporterin 33 vjeçar, fitues i shumë çmimeve në fushën e gazetarisë që ka fabrikuar sistematikisht fakte, artikuj dhe intervista të rreme përgjatë disa viteve.

Ylli i ri gjerman është vlerësuar më shumë çmime, madje ka fituar edhe si gazetari i vitit në 2014, i dhënë nga CNN, duke kontribuar me 60 artikuj të publikuar në versionin print dhe online që nga 2011.

Por i gjithë triumfi i arritur për gazetarin e ri janë kthyer në boomerang për të pasi sot akuzohet se ka fabrikuar fakte dhe histori për 14 artikuj.

Relotius ka botuar edhe dy reportazhe për Shqipërine, ku fliste për gjakmarrjen dhe burrneshat, dy fenomenene që janë kthyer tashmë në mit nga të huajt për vendin tonë.

Në shkrimin për gjakmarrjen të botuar gjatë 2012 me titullin “Sy për sy, gjak për gjak” flet për një 16 vjeçar Rudi Malashin që nuk del nga shtëpia për shkak se është në gjak, pasi i ati vrau fqinjin e tij me mbiemrin Nabol.

Mbiemrat e përdorur nga gazetari nuk tingëllojnë shqiptar dhe aq më pak nga zona e veriut.

Ndër të tjera shkruan se gjakmarrja mund të merrte fund në mënyrë paqësore duke paguar në këmbim mijëra euro, dhe për këtë citonte Jenva Bashin, që sërisht duket si emër i sajuar pasi nuk mund të jetë shqiptar.

Po gjatë 2012, Relotius botoi edhe shkrimin “ Në luginën e burrneshave”, ku flitet për Lujana Taranin, e cila jeton një një fshat malor, pa dhënë më shumë informacione për vendin.

Edhe në këtë rast emri të vë në dyshim nësë është tipik shqiptar.

Në një tjetër reportazh 2 vite më parë për Ahmedin dhe Alinin, 2 të mitur sirian, të mbetur jetim pasi prindërit u kishin vdekur gjatë Luftës Civile, shkruante se në ëndrrat e tyre ju doli Gjermania.

Në lidhje më këtë histori, “Der Spiegel” do të bashkëpunojë edhe me prokurorinë kundër gazetarit të ri gjerman pasi dyshohet se ai e ka trilluar historinë dhe ka përfituar nga disa donacione të dhuruara nga lexuesit e gazetës për dy të miturit.  Sipas gjigandit gjerman, artikulli që ai ka publikuar për historinë e dy fëmijëve është i trilluar dhe mendohet se paratë e mbledhura kanë shkuar në llogarinë private të Relotius.