Gjenevë, Biden dhe Putin fillojnë bisedimet e tyre të para ballë për ballë

Përderisa bota vëzhgon, presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë kanë filluar bisedimet e tyre të para ballë për ballë që kur Biden mori detyrën në muajin janar, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dy udhëheqësit, të cilët sollën së bashku ministrat e tyre të Jashtëm dhe sekretarët e Shtetit, pas bisedimeve në qytetin zviceran nuk pritet të ndajnë një vakt ose të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Masat e sigurisë ishin të shtrënguara në qytetin e dytë më të madh të Zvicrës, ku ndodhet selia evropiane e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe disa agjenci të OKB-së si Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT).

Bisedimet pritet të përqendrohen në çështje të tilla si kontrolli i armëve, siguria kibernetike, shqetësimet e SHBA-së për trajtimin e kundërshtarëve politikë nga Rusia, ndërhyrjet në zgjedhje si dhe situata në Ukrainë ku forcat e mbështetura nga Rusia po luftojnë në lindje të vendit.

Pak para bisedimeve, Putin u takua me presidentin zviceran, Guy Parmelin.

Pasi dje arriti në vendin e famshëm neutral, Biden pati një takim 30-minutësh me presidentin zviceran për çështje bilaterale si trajtimi zviceran i marrëdhënieve diplomatike të SHBA-së me Iranin.

Gazetat zvicerane raportuan për takimin, me gazetën ‘Le Temps’ në gjuhën frënge e cila raportoi me titull “Dita kur sytë e gjithë botës janë drejtuar në Gjenevë”.

Titulli në gazetën ‘Tribune de Geneve’ ishte “Joe Biden e bën Gjenevën qendër të botës”.

Bisedimet janë një “shenjë e shpresës”, tha presidenti zviceran pas takimit me homologun e tij amerikan. Ai gazetarëve u tha se “dialogu konstruktiv” është i nevojshëm midis fuqive të mëdha për të përmbushur sfidat e tyre aktuale globale.

“Zvicra është e bindur se një dialog konstruktiv është i nevojshëm midis fuqive të mëdha në mënyrë që ne të mund t’i përballojmë sfidat e kohës sonë”, tha Parmelin pas takimit me Biden, duke i përshkruar bisedimet e tij me presidentin amerikan si “të ngrohta”.

‘Villa la Grange’, vendi në mes të një parku ku po zhvillohen bisedimet, 36 vite më parë dëshmoi një tjetër takim historik kur presidenti i ndjerë i SHBA-së, Ronald Reagan, u takua me udhëheqësin e ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Tridhjetë vite para kësaj, gjegjësisht në vitin 1955, Gjeneva organizoi një takim historik midis të ashtuquajturve “Katër të Mëdhenjtë”, kur për herë të parë që nga viti 1945, fituesit e Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe, ranë dakord për t’u takuar në Gjenevë nën kujdesin e OKB-së për të diskutuar çështjet kryesore të paqes dhe sigurisë. /aa