Gjermani, 50 mln euro gjobë nëse lejohet gjuha e urrejtjes

Në Gjermani ka hyrë tashmë në fuqi ligji që u kërkon kompanive të medieve sociale të largojnë postimet e paligjshme, ose të paguajnë gjoba që shkojnë deri në 50 milionë euro.

Kompanitë me më shumë se dy milionë përdorues gjermanë kanë kohë deri në 24 orë për të hequr postimet që përmbajnë gjuhë urrejtjeje apo materiale të tjera kriminale.

Ligji është mes më të ashpërve të këtij lloji në botë. Kritikët kanë thënë se afatet e shkurtra kohore të ligjit janë jo realiste dhe mund të çojnë në censurim aksidental.

Deputetët gjermanë votuan ligjin në qershor, pas një serie rastesh të lajmeve të rreme dhe fjalimeve të urrejtjes të përhapura në mediet sociale në vend.

Kompanitë si Facebook, YouTube dhe Twitter do të kenë më shumë kohë për të vlerësuar raportet, për materiale që në dukje nuk janë kriminale, plot 7 ditë. Sipas disa ekspertëve, ligji ngre shqetësime për lirinë e shprehjes.

Ai hyn në fuqi një javë pasi Komisioni Europian publikoi një manual, në të cilin u kërkonte rrjeteve sociale të ishin më aktive në parandalimin dhe largimin e gjuhës së urrejtjes.

Ndërkohë, kryeministrja britanike Theresa May tha muajin e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se, gjigantët e teknologjisë duhet të veprojnë më shpejt për të hequr nga rrjeti përmbajtjet ekstremiste.

Bashkë me Francën dhe Italinë, ajo po kërkon për një afat një apo dy orësh, që censuruesit të heqin materialet e paligjshme./Mesazhi/