Gjermani, rastet e abuzimit me fëmijët shënuan rritje në vitin 2021

Rastet e abuzimit me fëmijët në Gjermani në vitin 2021 janë rritur me 108 për qind në krahasim me një vit më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Berlin u shpalos “Raporti i Abuzimit të Fëmijëve” i cili u përgatit nga Komisioni i Pavarur përgjegjës për Abuzimin Seksual të Fëmijëve.

Në vitin 2020 janë regjistruar 18.761 raste lidhur me përhapjen, posedimin, marrjen dhe prodhimin e pamjeve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve, ndërsa vitin e kaluar theksohet se janë regjistruar 39.171 raste.

Numri i fëmijëve që janë përballur me abuzim seksual në vitin 2020 ka qenë 16.921 ndërsa në vitin 2021 kjo shifër u përcaktua në 17.704.

Ndërkohë thuhet se 145 fëmijë kanë humbur jetën vitin e kaluar për shkak të dhunës.

Numri i fëmijëve dhe të rinjve që përhapin ose prodhojnë përshkrime të abuzimit, kryesisht në median sociale, është rritur më shumë se dhjetëfish që nga viti 2018 e deri më tani, ndërsa theksohet se krimet e pa denoncuara janë shumë më të larta.

Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), Holger Münch tha se mesatarisht çdo vit në vend 49 fëmijë janë të ekspozuar ndaj dhunës seksuale.

“Aktet më të rënda të dhunës ndaj fëmijëve dhe të rinjve që janë anëtarët më të dobët të shoqërisë duhet të ndalen, të gjykohen penalisht dhe t’u jepet fund. Për këtë arsye bëjmë çdo gjë që mundemi për të parandaluar dhe për të përcaktuar në fazë të hershme çdo të keqe që vazhdon”, tha Münch.

Anëtarja e Komisionit të Pavarur përgjegjës për Abuzimin Seksual të Fëmijëve, Kerstin Claus tërhoqi vëmendjen mbi rritjen e numrit të abuzimeve të fëmijëve. “Duhet ta bëjmë internetin më të sigurt për fëmijët tanë”, tha ajo.

– Ministrja e Brendshme Faeser

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser në një deklaratë me shkrim tha se është tronditëse që në vitin 2021 mesatarisht çdo ditë 49 fëmijë në vend janë përballur me dhunë seksuale.

“Si ministre e brendshme federale për mua dhe për autoritetet tona të hetimit mbrojtja e fëmijëve janë prioriteti më i madh. Asnjë autor nuk duhet ta ndiejë veten të sigurt pa proces gjykimi”, deklaroi ministrja Faeser. /aa