Gjermani – Spitalet në rrezik për mbingarkesë mes rritjes së rasteve COVID-19

Shoqata gjermane e Spitaleve ka paralajmëruar për një ngarkesë në rritje në njësitë e kujdesit intensiv, për shkak të rritjes në shifrat e infeksionit me COVID-19.

“Jemi në një situatë kritike pandemike”, tha Gerald Gass, kryetar i bordit, për Redaktionsnetzwerk Deutschland.

“Numri i pacientëve të shtruar në spital me një infeksion COVID-19 është rritur ndjeshëm brenda një jave”, shtoi ai.

Në pavijonet normale ka pothuajse 40 për qind më shumë pacientë se një javë më parë.

Në njësitë e kujdesit intensiv, ka 15 për qind më shumë.

“Nëse ky zhvillim vazhdon, ne do të kemi 3 000 pacientë në kujdes intensiv në vetëm dy javë”, paralajmëroi Gass.

Në kulmin e pandemisë, në janar 2021, më shumë se 5 700 pacientë COVID-19 trajtoheshin në kujdes intensiv.

Incidenca shtatëditore e infeksionit në Gjermani është rritur sërish ndjeshëm.

Instituti Robert Koch për Kontrollin e Sëmundjeve (RKI) raportoi 130,2 infeksioneve të reja për 100 000 banorë.

Një ditë më parë, ky barometër kryesor ishte në 118,0 dhe një javë më parë ishte 85,6. /atsh