“Gjermania do blejë nga Izraeli sistemin e mbrojtjes ajrore Arrow 3”

Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se Gjermania do të blejë nga Izraeli sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore “Arrow 3”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet se mirëpritet miratimi i Ministrisë të Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Komiteteve të Buxhetit dhe Mbrojtjes së Parlamentit Federal (Bundestagut) për angazhimin për të nisur hapat e nevojshëm për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore “Arrow 3” të prodhimit Izrael-SHBA.

Më tej thuhet se zyrtarët izraelitë vazhdojnë bisedimet me homologët gjermanë për të finalizuar marrëveshjen e blerjes.

“Për të siguruar miratimin e nevojshëm të shitjes, zyrtarët e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes janë në kontakt të vazhdueshëm”, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se me Gjermaninë do të nënshkruhet letra e angazhimit pasi administrata e SHBA-së të japë miratimin për shitjen.

“Arrow 3 i projektuar për të penguar raketat balistike dhe i zhvilluar nga Ministria izraelite e Mbrojtjes në bashkëpunim me Agjencinë amerikane të mbrojtjes raketore dhe industrinë Ajrore të Izraelit, është një nga sistemet më të avancuara të llojit të tij në botë”, thuhet më tej.

Zyrtarët izraelitë dhe gjermanë u takuan në shtator 2022 dhe prill 2023 për sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore.