Gjermania shpreh “shqetësim të madh” për përshkallëzimin e tensioneve Izrael-Iran

Gjermania ka shprehur “shqetësim të madh” për tensioonet e rritura midis Iranit dhe Izraelit, transmeton Anadolu.

“Situata në Lindjen e Mesme aktualisht është jashtëzakonisht e tensionuar dhe ne e vështrojmë me shqetësim të madh. Ne po përgatitemi për të gjithë skenarët dhe dje ekipi i krizës u takua në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, tha Sebastian Fischer, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Fischer përsëriti nevojën për të de-eskaluar situatën. Ai tha se Berlini po bën “çdo gjë që mundet për të kontribuar në de-eskalimin e situatës në mënyrë që të parandalojë që të ndodhë një tjetër konflikt serioz ushtarak”.

Dje, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, paralajmëroi për një luftë rajonale gjatë një bisede telefonike me homologun e saj iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

“Këto ditë, të gjitha linjat telefonike diplomatike janë të ngarkuara për të parandaluar përshkallëzimin rajonal në Lindjen e Mesme. Askush nuk mund t’i shtojë benzinë zjarrit tani. Në të vërtetë askush nuk mund të ketë interes për një zjarr me pasoja krejtësisht të paparashikueshme”, tha Baerbock në një konferencë për media me homologun e tij të Kilit, Alberto van Klaveren.

“Të gjithë aktorët në rajon janë thirrur të veprojnë me përgjegjësi dhe të ushtrojnë përmbajtje. Me këtë në mendje, fola me homologun tim iranian sot”, shtoi ajo.

Deklaratat e zëdhënësit të ministrisë gjermane erdhën në vazhdën e tensioneve të rritura midis fuqive rivale si pasojë e vrasjes së gjeneralëve iranianë në një bombë në konsullatën iraniane në Siri në fillim të këtij muaji.

“Nëse Irani sulmon nga territori i tij, Izraeli do t’i përgjigjet dhe do të sulmojë në Iran”, shkroi Israel Katz në platformën X, shef i diplomacisë izraelite.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khameneu, është zotuar se do të hakmerret kundër shtetit hebre për sulmin ndaj konsullatës iraniane në Damask.

Teherani e konsideron Izraelin përgjegjës për sulmin që rrafshoi ndërtesën, duke vrarë 12 persona. Izraeli nuk e ka pranuar përfshirjen e tij, megjithëse ka pritur një përgjigje iraniane ndaj sulmit, duke shënuar një përshkallëzim domethënës në luftën e tyre të gjatë në hije.

Sulmi vrau gjeneralin Mohammad Reza Zahedi, një figurë e lartë në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, i cili udhëhoqi forcat elitare të grupit Quds në Liban dhe Siri deri në vitin 2016. Po ashtu 11 persona të tjerë humbën jetën në sulm, përfshirë gjashtë anëtarë të Gardës Revolucionare, katër sirianë dhe një pjesëtar të milicisë së Hezbollahut.