Një gjykatë e emigracionit në SHBA ka hedhur poshtë përpjekjen e administratës Trump për të deportuar Rumeysa Ozturk, studente doktorature në Universitetin Tufts dhe aktiviste pro-Palestineze, njoftuan avokatët e saj.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë në Nju Jork, një gjyqtare e emigracionit vendosi më 29 janar se Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare nuk arriti të provojë se Ozturk duhej të deportohej, duke i dhënë fund procedurave ndaj saj.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Roopal Patel në Boston. Çështja kishte nisur pas arrestimit të Ozturk në mars të vitit të kaluar në një rrugë të Masaçusetsit, pasi Departamenti i Shtetit i kishte revokuar vizën studentore.
Autoritetet amerikane kishin deklaruar se arsyeja e vetme për revokimin e vizës ishte një editorial i bashkautoruar nga Ozturk në gazetën studentore të Tufts, ku kritikohej qëndrimi i universitetit ndaj gjenocidit izraelit në Gaza.
Vendimi i gjykatës i jep fund, për momentin, një procesi që përfshiu ndalimin e saj për 45 ditë në një qendër paraburgimi në Luiziana. Arrestimi i saj në periferinë e Bostonit, Somerville, u filmua dhe u shpërnda gjerësisht, duke shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat për të drejtat civile.
Ozturk u lirua pasi një gjykatës federal në Vermont urdhëroi lirimin e menjëhershëm të saj, duke vlerësuar se kishte prova serioze se ndalimi i saj ishte hakmarrje e paligjshme për ushtrimin e së drejtës së fjalës së lirë.
Në një deklaratë, Ozturk tha se ndihej e lehtësuar nga vendimi dhe shpresonte që rasti i saj t’u jepte shpresë edhe të tjerëve që, sipas saj, janë trajtuar padrejtësisht nga autoritetet amerikane. /mesazhi








