Gjykata izraelite lejon konfiskimin e tokës në Sheikh Jarrah të Kudsit

Gjykata e Lartë e Izraelit miratoi konfiskimin e një toke palestineze në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

“Gjykata hodhi poshtë një kërkesë të pronarëve palestinezë të tokës kundër konfiskimit nga bashkia izraelite”, tha për AA, Kamal Obeidat, kreu i Odës së Tregtisë së Kudsit.

Ai tha se autoritetet komunale izraelite kanë kërkuar të konfiskojnë tokën për 20 vitet e fundit.

“Kjo tokë është në pronësi të katër familjeve palestineze dhe përdoret si parking”, shtoi ai.

Toka e konfiskuar është 4700 metra katrorë dhe ngjitur me shtëpitë e familjeve palestineze, të cilat kërcënohen me dëbim në favor të kolonëve izraelitë.

Vendimet e Gjykatës së Lartë të Izraelit janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen.

E drejta ndërkombëtare i konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të pushtuara dhe i konsideron të paligjshme të gjitha aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve hebreje atje. /aa