Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Gruaja e parë muslimane në Kongres dhe beteja e saj me Trumpin

Gruaja e parë muslimane në Kongres dhe beteja e saj me Trumpin

Kongresmenja e Minesotës, Ilhan Omar

Ilhan Omar, simboli i Amerikës që kundërshton autoritarizmin dhe mbron vlerat themeltare

Ilhan Omar konsiderohet sot një nga figurat më emblematike të politikës amerikane dhe një simbol i rezistencës në një Shtetet e Bashkuara gjithnjë e më të polarizuara.

Historia e saj përmbledh rrugëtimin e mijëra refugjatëve që kanë kërkuar një jetë të re në Amerikë, por edhe sfidat me të cilat përballen minoritetet në një klimë politike të dominuar nga debatet mbi emigracionin, identitetin dhe të drejtat civile.

E lindur në Mogadishu të Somalisë në vitin 1982, Omar ishte vetëm 10 vjeç kur u detyrua të largohej nga vendi për shkak të luftës civile. Së bashku me familjen kaloi disa muaj në një kamp refugjatësh përpara se të vendosej në Shtetet e Bashkuara, ku gjeti strehim në shtetin e Minesotës.

Pasi mori shtetësinë amerikane, ajo studioi shkenca politike dhe u përfshi aktivisht në jetën publike. Fillimisht u zgjodh në Parlamentin e Minesotës, ndërsa në vitin 2018 hyri në histori duke u bërë gruaja e parë myslimane e zgjedhur në Kongresin e SHBA-së.

Zgjedhja e saj u konsiderua një moment historik jo vetëm për komunitetin mysliman, por edhe për emigrantët dhe grupet progresiste, të cilët e panë si simbol të një Amerike më gjithëpërfshirëse.

Megjithatë, suksesi politik e shndërroi edhe në një nga objektivat kryesorë të sulmeve politike. Që nga viti 2018, Donald Trump e ka vendosur vazhdimisht në shënjestër. Në një seri postimesh në rrjetet sociale, ai u kërkoi Omar dhe tre kongresmeneve të tjera demokrate të “ktheheshin në vendet nga kishin ardhur”, pavarësisht se Omar ishte prej vitesh shtetase amerikane.

Deklarata të tilla u interpretuan nga kritikët si nxitëse të një klime ksenofobie dhe urrejtjeje ndaj emigrantëve. Tensionet arritën kulmin më 26 janar të këtij viti, gjatë një takimi publik në Minesota.

Ndërsa Omar po kritikonte politikat e administratës Trump ndaj emigracionit dhe kërkonte fundin e operacioneve të deportimit, një burrë iu afrua dhe e sulmoi duke i hedhur një substancë me erë të rëndë me anë të një shiringe.

Deputetja nuk pësoi lëndime, dhe pas një ndërprerjeje të shkurtër, e vazhdoi fjalimin e saj. “Ja çfarë nuk kuptojnë njerëz si ky. Ne jemi Minesota, jemi të fortë dhe do të mbetemi të tillë pavarësisht gjithçkaje që na hedhin përballë”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Autori i sulmit, Anthony J. Kazmierczak, 55 vjeç, i identifikuar si simpatizant i agjencisë amerikane të emigracionit ICE, u arrestua menjëherë dhe u dërgua në burgun e qarkut Hennepin. Megjithatë, polemikat nuk u ndalën me arrestimin e tij.

Presidenti Donald Trump vuri publikisht në dyshim vërtetësinë e sulmit, duke e cilësuar Omar një “mashtruese” dhe duke sugjeruar se ajo mund ta kishte organizuar vetë incidentin.

Deklaratat e tij ngjallën reagime të forta në SHBA dhe jashtë saj, duke rihapur debatin mbi ndikimin e retorikës politike në nxitjen e urrejtjes ndaj minoriteteve. Gjatë gjithë karrierës së saj, Ilhan Omar ka deklaruar se fakti që është njëkohësisht refugjate, muslimane dhe grua e ka bërë objekt të vazhdueshëm sulmesh raciste dhe diskriminuese.

Sipas saj, përpjekjet për ta delegjitimuar nuk synojnë vetëm figurën e saj, por edhe komunitetet që ajo përfaqëson. Përplasjet me Trump-in nuk janë kufizuar vetëm te çështjet politike.

Në tubime elektorale, presidenti amerikan ka sulmuar vazhdimisht emigrantët somalezë, duke e cilësuar Somalinë një “vend katastrofë”, dhe duke deklaruar se emigrantët duhet të “tregojnë se e duan Amerikën, ndryshe nga Ilhan Omar”.

Në një tjetër aktivitet në Pensilvani, ai e quajti atë dhe mbështetësit e saj “plehra”, duke kërkuar kthimin e tyre në Somali. Omar iu përgjigj këtyre deklaratave duke theksuar se Trump “nuk e kupton sa shumë i duan Shtetet e Bashkuara komunitetet somaleze”. \tesheshi