Guterres bën thirrje për ndalimin e sulmeve në centralin bërthamor të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres paralajmëroi sot lidhur me një katastrofë të mundshme bërthamore, si pasojë e luftimeve që vazhdojnë në centralin bërthamor të Zaporizhzhyas në Ukrainë.

“Jam thellësisht i shqetësuar lidhur me situatën shpërthyese, në dhe përreth centralit bërthamor të Zaporizhzhyas në Ukrainën jugore”, theksoi kreu i OKB-së përmes një deklarate.

“U kam bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të tregohen të arsyeshme dhe të mos ndërmarrin asnjë veprim që mund të rrezikojë integritetin fizik ose sigurinë e centralit bërthamor, më i madhi i llojit të tij në Europë,” thuhej në deklaratë.

“Fatkeqësisht, në vend të qetësimit të situatës, gjatë ditëve të fundit ka patur raportime për incidente të tjera thellësisht shqetësuese, që, nëse vazhdojnë, mund të çojnë drejt një katastrofe”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në deklaratën e tij.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhyas, i ndërtuar në qytetin ukrainas të Enerhodarit, u bombardua disa herë dhe pësoi dëme të pjesshme fundjavën e kaluar. Megjithatë, infrastruktura kryesore e centralit mbetet e paprekur.

Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën lidhur me sulmin kundër centralit më të madh bërthamor të Europës. /atsh