Haiti, bandat rrëmbejnë 17 misionarë amerikanë e familjarë të tyre

Rreth 17 misionarë të krishterë amerikanë dhe familjarë të tyre, përfshirë fëmijë, u rrëmbyen të shtunën nga një bandë kriminale në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince. Lajmi u njoftua nga gazeta “The New York Times”, e cila i referohej zyrtarëve të sigurisë së atij vendi.

Misionarët sapo kishin lënë një jetimore e ishin nisur drejt aeroportit për të çuar disa prej anëtarëve të grupit, kur u goditën nga bandat.

Jennifer Viau, një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit shkruante në një përgjigje me email se, “situata po shqyrtohet”. Ambasada amerikane në Haiti nuk iu përgjigj një kërkese për koment e cila iu dërgua jashtë orarit zyrtar të punës.

Një zëdhënëse e policisë së Haitit tha se po kërkonte të informohej mbi këtë çështje. Artikulli nuk jep detaje mbi misionarët ose kishën që ata përfaqësojnë.

Një rritje e dhunës nga bandat në këtë vend të varfër është bërë shkak për zhvendosjen e mijëra vetëve dhe pengimin e aktivitetit ekonomik. Dhuna u përhap pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moise në muajin korrik dhe pas një tërmeti në gusht që shkaktoi vdekjen e më shumë se 2,000 personave. /voa