Organizatat militante palestineze të udhëhequra nga Hamasi thanë të enjten se rezistenca nuk do të ndalet derisa të mbarojë “pushtimi” dhe të krijohet një shtet i pavarur, plotësisht sovran me Jerusalemin si kryeqytet, duke iu përgjigjur të ashtuquajturës “Deklaratë e Nju Jorkut” që i bëri thirrje grupit të lëshonte armët.
“Deklarata e Nju Jorkut”, e përgatitur nga Franca dhe Arabia Saudite, bashkëkryetare të konferencës, dhe e mbështetur nga 15 vende të tjera (përfshirë Brazilin, Kanadanë, Turqinë, Jordaninë, Katarin, Egjiptin dhe Mbretërinë e Bashkuar), si dhe Bashkimin Evropian dhe Ligën Arabe, bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe arritjen e “një zgjidhjeje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez bazuar në zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete”.
Në këtë kontekst, këto vende theksojnë se “qeverisja, zbatimi i ligjit dhe siguria në të gjithë territorin palestinez duhet të jenë përgjegjësi e vetme e Autoritetit Palestinez, me mbështetjen e duhur”.
Këto deklarata pasqyrojnë angazhimet që presidenti [alestinez Mahmoud Abbas bëri në qershor në përgatitje për këtë konferencë dhe në perspektivën e bindjes së më shumë vendeve për të njohur një shtet palestinez. Edhe pse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk e ka dënuar kurrë sulmin e paprecedentë të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili çoi në hakmarrjen izraelite në Gaza, teksti “dënon” këtë sulm. /tesheshi








