“Hamasi do t’i zhvillojë marrëdhëniet me regjimin sirian”

Hazem Qassem

Grupi i rezistencës palestineze Hamas tha sot se do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhëniet me regjimin sirian, pas një ndërprerjeje prej mbi dhjetë vitesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Forcimi i kësaj marrëdhënieje i shërben aftësisë sonë për t’u përballur me agresionin izraelit në rritje”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem.

Përfaqësuesit e Hamasit dhe fraksioneve të tjera palestineze të mërkurën u takuan me presidentin e regjimit sirian Bashar al-Assad në kryeqytetin Damask.

Të premten, mbrojtja ajrore siriane ndaloi një sulm raketor izraelit në kryeqytetin Damask.

“Këto sulme janë krim kundër kombit tonë dhe një shtrirje e vrasjeve dhe terrorizmit kundër popullit palestinez”, tha Qassem.

Që nga viti 1999, Hamasi kishte përdorur Damaskun si selinë e udhëheqjes së tij jashtë vendit, deri në vitin 2012, kur grupi palestinez ndërpreu marrëdhëniet me regjimin dhe mbylli zyrat e tij në Siri pas shpërthimit të konfliktit sirian.

Grupi qeveris më shumë se dy milionë palestinezë në Rripin e Gazës.