Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, deklaroi para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve se “nuk kishte asnjë dijeni” për krimet e Jeffrey Epstein.
Pas një dëshmie disaorëshe me dyer të mbyllura para Komisionit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Clinton u shpreh se dëshiron që e vërteta të dalë në dritë dhe u bëri thirrje ligjvënësve të marrin në pyetje nën betim presidentin Donald Trump për lidhjet e tij të mëparshme me Epstein.
Ajo tha se ishte e zhgënjyer që dëshmia e saj nuk u bë publike, në mënyrë që – sipas saj – të mos i duhej ta përshkruante vetë për mediat. Clinton gjithashtu vlerësoi kryetarin e komisionit, James Comer, për ngritjen e disa pyetjeve që ajo i cilësoi si të rëndësishme lidhur me natyrën e hetimit.
Bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, pritet të dëshmojë të premten. Çifti Clinton fillimisht kundërshtoi thirrjen zyrtare të komisionit, duke e konsideruar atë si të motivuar politikisht, por më pas pranoi të dëshmojë për të shmangur procedurat për përbuzje të Kongresit.
Si Clintonët ashtu edhe Trump kanë mohuar çdo shkelje në lidhje me Epstein. Ish-sekretarja e Shtetit kritikoi gjithashtu anëtarët republikanë të komisionit, duke thënë se ata nuk kishin pyetur persona të tjerë të marrë në dëshmi për Epstein apo bashkëpunëtoren e tij të dënuar, Ghislaine Maxwell. /mesazhi





