HRW: Azilkërkuesit afganë po “keqtrajtohen brutalisht” nga autoritetet bullgare

Duke përdorur qen policie dhe forma të tjera dhune, autoritetet bullgare po “keqtrajtojnë brutalisht” azilkërkuesit dhe migrantët afganë dhe të tjerë përpara se t’i shtyjnë drejt Turqisë, tha sot grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut Human Rights Watch (HRW), transmeton Anadolu Agency (AA).

“Autoritetet bullgare po i shtyjnë brutalisht dhe pa procedurë formale migrantët dhe azilkërkuesit përtej kufirit tokësor me Turqinë”, tha në një deklaratë Michelle Randhawa, zyrtare për të drejtat e refugjatëve dhe emigrantëve në HRW.

Sipas deklaratës, grupi i të drejtave ka intervistuar 15 burra afganë midis nëntorit 2021 dhe prillit 2022, duke shtuar se 14 nga 15 burrat ka thënë se policët bullgarë, ose burrat që ata besonin se ishin policë bullgarë, i kanë rrahur gjatë arrestimit në territorin bullgar dhe/ose gjatë kthimit të tyre me forcë në Turqi.

“Dhjetë nga burrat thanë se autoritetet bullgare vodhën sendet e tyre dhe ua hoqën rrobat, në disa raste i lanë pa këpucë, vetëm me të brendshme dhe bluza në temperatura të ftohta”, tha deklarata.

Një 27-vjeçar afgan ka thënë për HRW: “Ata na goditnin si topa futbolli. Më goditnin me shkelma në çdo pjesë të trupit, thjesht munda të mbroja kokën. Ata kishin veshur … çizme [të rënda] … dhe maja e çizmeve ishte prej çeliku. Në kufi, ata na rrahën përsëri … dhe na thanë, ‘Mos u ktheni më’”.

Zyrtarja e HRW-së i bëri thirrje BE-së që të sigurojë që Bullgaria të ndalojë menjëherë “dëbimet e paligjshme dhe çnjerëzore” në kufijtë e saj dhe t’u lejojë azilkërkuesve qasje në procedura të drejta azili.

“Në një kohë kur zyrtarët bullgarë po mirëpresin refugjatët ukrainas duke u shpërndarë atyre informacione rreth mbrojtjes së përkohshme dhe jetesës në Bullgari, ata po keqtrajtojnë brutalisht afganët dhe azilkërkuesit e tjerë në kufirin e tyre” shtoi ajo. /aa