Iftar i madh në Tiranë nga instituti “Yunus Emre” dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke

Në iftarin e organizuar për rreth 1.000 persona në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin nëQeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali, drejtori i institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, zv.kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, İsmail Hakkı Turunç, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneralmajor Bajram Begaj, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Mimi Kodheli, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, dhe diplomatë të tjerë, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptare-turke.

Ambasadori turk në fjalën e tij përshëndetëse tha se muaji i Ramazanit është muaj i të kuptuarit të rëndësisë së të qenit mirënjohës për atë “që kemi dhe rëndësisë së solidaritetit me ata familje dhe njerëz që janë në nevojë.”

“…Në këtë muaj ata që janë në nevojë kujtohen edhe një herë, tavolinat dhe zemrat bashkohen pikërisht në këtë muaj. Në këtë muaj të madhërishëm, gjithsecili prej nesh gjen mundësinë të ballafaqohet sinqerisht me veten e tij, të rifreskojë shpirtin e tij dhe kështu me këto ndjenja unë dëshiroj që për gjithë njerëzimin të mbizotërojë mirësia, paqja dhe qetësia…”, theksoi Yörük.

Ai tha se shpreson që ky unitet, ky afrimitet mes Turqisë dhe Shqipërisë mike dhe partnere të vazhdojë deri në pafundësi. “…Dëshiroj nga thellësia e zemrës të shpreh edhe një herë mirënjohjen time për mikun tim të çmuar, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për mbështetjen e tij që na ka ofruar për organizimin e këtij programi iftari..”, tha ambasadori turk.

Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i institutit turk “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili falënderoi përfaqësuesit e institucioneve turke dhe shqiptare në lidhje me ndihmën për organizmin e iftarit. “Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur mes nesh. Shpresoj që të jetë e pranuar duaja”, tha ai, duke iu drejtuar të pranishmeve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se është shumë krenar që është pjesë e iftarit. “…Ne mund të vijmë nga kombe të ndryshme, mund të kemi besime të ndryshme, mund të jetojmë në situata të ndryshme, mund të bëjmë punë të ndryshme, ama kur jemi bashkë jemi të pamposhtur…Në emër të qytetit tonë ju falënderoj shumë për shërbimin që bën secili prej jush, qoftë në familjen e vet, në punën e vet, në qytetin e vet, në kombin e vet apo edhe ndërkombëtarisht siç është Gjysmëhëna e Kuqe Turke…”.

Zv.kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, İsmail Hakkı Turunç, tha se shpreson që miqësia mes dy vendeve të jetë akoma edhe më e fortë.

“…Ne jemi gjithmonë pranë njerëzve të cilët janë në nevojë dhe kujdesimi për ta sikur të ishin qytetarët tanë. Sepse duke u bazuar në fenë tonë, në kulturën tonë, kur një person ka nevojë për ndihmë ose një komb ka nevojë për ndihmë, ne jemi gjithmonë në ndihmë të personave në nevojë…”, theksoi Turunç,

Ai tha më tej se “Duke qenë se jemi vende mike, jemi gjithmonë pranë njëri-tjetrit dhe kjo është edhe filozofia e Gjysmëhënës së Kuqe”.

Nga ana tjetër, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon të ofrojë ndihmë për familjet në nevojë në Shqipëri me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit.

TIKA në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR ka organizuar para pak ditëve iftar për familjet në nevojë në Fushë Krujë, duke mbledhur së bashku shumë persona në nevojë

Në iftarin e organizuar për rreth 100 persona në ambientet e Xhamisë Arrameras ishin të pranishëm edhe koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Emine Gizem Başkan, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, si dhe të ftuar të tjerë.

TIKA në bashkëpunim me ALSAR shpërndan vakte të iftarit çdo ditë në Shqipëri për 100 persona dhe projekti në fjalë është për gjithë muajin e Ramazanit, duke përfshirë në total 3.000 persona në nevojë.

Gjithashtu TIKA ka ofruar gjatë muajit të Ramazanit edhe ndihma në pako ushqimore për mijëra familje në nevojë në qytete të ndryshme shqiptare. /trt