India dhe Pakistani shkëmbejnë listat e objekteve bërthamore dhe të burgosurve civilë

India dhe Pakistani shkëmbyen lista të objekteve bërthamore si dhe të të burgosurve civilë, përfshirë peshkatarët, në ditën e vitit të ri, sipas deklaratave zyrtare, transmeton Anadolu.

Sipas dispozitave të marrëveshjes dypalëshe mbi aksesin konsullor 2008, India dhe Pakistani shkëmbyen sot, njëkohësisht në New Delhi dhe Islamabad, listat e të burgosurve civilë dhe peshkatarëve në paraburgimin, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë në një deklaratë.

India ka ndarë lista me detaje të 391 të burgosurve civilë dhe 33 peshkatarëve në paraburgimin e saj, të cilët janë pakistanezë ose që besohet të jenë pakistanezë, tha ministria duke shtuar se New Delhi ka bërë thirrje për “lirim të parakohshëm dhe riatdhesim të të burgosurve civilë, peshkatarëve së bashku me anijet e tyre dhe personelit të mbrojtjes indiane”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi konfirmoi se Islamabadi dhe New Delhi shkëmbyen listat e objekteve bërthamore si dhe të të burgosurve civilë, përfshirë peshkatarët.

“Qeveria e Pakistanit sot i dorëzoi Komisionit të Lartë të Indisë në Islamabad një listë prej 257 të burgosurish indianë, përfshirë 199 peshkatarë dhe 58 civilë të tjerë, në paraburgim në Pakistani”, u tha ai gazetarëve gjatë një konference për mediat.

Ai shtoi se të dy vendet shkëmbyen gjithashtu një listë të objekteve bërthamore sipas marrëveshjes për ndalimin e sulmeve kundër instalimeve dhe objekteve bërthamore midis Pakistanit dhe Indisë.

Që kur Marrëveshja për ndalimin e sulmeve ndaj instalimeve dhe objekteve bërthamore midis Pakistanit dhe Indisë hyri në fuqi më 27 janar 1991, të dy vendet kanë shkëmbyer lista çdo vit që nga 1 janari 1992. Sipas ministrisë indiane, ky është shkëmbimi i 35-të radhazi i listave të tilla midis dy vendeve.