India do ta tejkalojë Kinën këtë vit, për t’u bërë shteti me popullsinë më të madhe në botë.
Gjasat që India ta kalojë këtë moment historik të madh brenda pak muajsh u rrit të martën, kur Kina raportoi se popullsia e saj u tkurr në vitin 2022 për herë të parë në më shumë se 60 vjet.
Ky ndryshim do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike për të dy gjigantët aziatikë, të cilët kanë më shumë se 1.4 miliardë banorë secili, raportoi CNN-i të martën.
Së bashku me të dhënat e popullsisë, Kina raportoi gjithashtu një nga numrat e saj më të këqij të rritjes ekonomike në gati gjysmë shekulli, duke nënvizuar sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ndërsa fuqia e saj e punës tkurret dhe radhët e pensionistëve rriten.
Për Indinë, ajo që ekonomistët dhe analistët e quajnë “dividend demografik” mund të vazhdojë të mbështesë rritjen e shpejtë ndërsa numri i punëtorëve të shëndetshëm po vazhdon të rritet.
Megjithatë, ekziston frika se vendi mund të humbasë. Kjo për shkak se India thjesht nuk po krijon mundësi punësimi për miliona punëkërkues të rinj që tashmë hyjnë në fuqinë punëtore çdo vit.
Numri i personave të aftë për punë në Indi qëndron në mbi 900 milionë, sipas të dhënave të vitit 2021 nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Ky numër pritet të shkojë në mbi 1 miliard gjatë dekadës së ardhshme, ka bërë të ditur Qeveria indiane. /koha






