Inflacioni në SHBA arrin vlerën më të lartë që nga viti 1981

Inflacioni vjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arriti në 8.6 për qind në maj, më i larti që nga dhjetori 1981, treguan të premten të dhënat zyrtare, shkruan AA. Shifra ishte mbi parashikimet e tregut prej 8.3 për qind.

“Rritja ishte me bazë të gjerë, ku indeksi i strehimit, derivateve dhe ushqimit ishin kontribuuesit më të mëdhenj”, njoftoi Byroja e Statistikave të Punës së SHBA-së.

Çmimet e energjisë u rritën me 34.6 për qind në bazë vjetore, rritja më e lartë që nga shtatori i vitit 2005, kurse kostot e ushqimit u rritën me 10.1 për qind, rritja e parë prej 10 për qind ose më shumë që nga marsi i vitit 1981.

Javën e kaluar, sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen pranoi se vitin e kaluar kishte gabuar për “rrugën që do të merrte inflacioni”.

“Ka pasur goditje të paparashikuara dhe të mëdha në ekonomi që kanë rritur çmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe pengesat e furnizimit që kanë patur një ndikim të keq në ekonominë tonë që në atë kohë nuk ishte e kuptueshme plotësisht”, ka thënë Yellen për CNN.

Javët e fundit disa zyrtarë të Rezervave Federale të SHBA-së (FED) thanë se inflacioni në vend është i krahasueshëm me nivelet e parë më 1974 dhe 1983, kur konsumatorët amerikanë përjetuan një shtrëngim të fortë nga çmimet e larta.