Presidenca e Irakut dënoi sulmet e përbashkëta ajrore të SHBA-së dhe Arabisë Saudite ndaj pozicioneve të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), duke i cilësuar sulmet ndaj institucioneve zyrtare të sigurisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Deklarata erdhi pasi PMF-ja njoftoi se të paktën 20 anëtarë të saj u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën në sulmet e natës, të cilat goditën selitë e grupit në disa provinca.
“Shënjestrimi i institucioneve zyrtare të sigurisë është i papajtueshëm me rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e Presidencës.
Ajo ritheksoi kundërshtimin e Irakut ndaj përdorimit të territorit të tij si bazë për sulme kundër vendeve fqinje ose për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale dhe ndërkombëtare.
“Ky qëndrim buron nga angazhimi i Irakut ndaj parimeve të fqinjësisë së mirë, respektimit të sovranitetit të shteteve dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme”, thuhet në deklaratë.
Presidenca u bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë sovranitetin e Irakut dhe të shmangin veprimet që mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Ajo bëri thirrje për dialog për zgjidhjen e krizave rajonale dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane dhe saudite kryen sulme të përbashkëta precize ndaj objektivave të lidhura me grupet e afërta me Iranin në Irak, duke thënë se operacioni shënjestroi vende të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Arabia Saudite tha se sulmet u kryen në kuadër të vetëmbrojtjes sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së, pas sulmeve të nisura nga territori irakian kundër objekteve të saj të naftës. Ajo paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime të tjera ushtarake nëse grupet e mbështetura nga Irani kryejnë sulme të tjera.





