Iraku “vlon” në 50 gradë Celsius, Irani ndërpret energjinë elektrike

Pas temperaturave rekord në Kanada, ku i nxehti historik shkaktoi 230 të vdekur, termometri ka shënuar 50 gradë edhe në Irakun e varfër.

Si të mos mjaftonte kjo, vendi po përballet edhe me ndërprerje gjunjëzuese të energjisë elektrike, të cilat e shtynë ministrin vendas të energjisë, Majed Mahdi Hantoosh të jepte dorëheqjen, ndërsa në rajonet jugore si Basra njerëzit shpërthyen në protesta. Shkak i këtij ngërçi u bë ndërprerja e furnizimit nga Irani, që përmbush gati një të tretën e nevojave të Irakut për energji elektrike.

Arsyeja e kësaj lëvizjeje drastike të Teheranit ndaj vendit fqinj, ishin faturat e papaguara prej kohësh. Iraku i detyrohet Iranit miliarda për gazin dhe energjinë elektrike, e ndërkohë republika islamike ka pasur edhe vetë probleme me furnizimin brenda kufijve.

Një zyrtar irakian, Ayad Khalaf tha për “The Independent” se ka pasur mesatarisht ndërprerje të energjisë elektrike prej gati 18 orësh në ditë, e kjo ka prekur jo vetëm shtëpitë, por edhe bizneset e spitalet. Ai shtoi se qeveria irakiane është në një gjendje mjaft të keqe për shkak të korrupsionit dhe planifikimeve që i bën aty për aty. /tch