Irani fajëson Izraelin për incidentin në Natanz dhe paralajmëron hakmarrje

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Zarif e bëri këtë deklaratë në fjalën që mbajti në një takim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit Iranian, ku ai dha informacione lidhur me bisedimet në proces për rikthimin e Iranit dhe ShBA-së në angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore e 2015-s.

“Zyrtarët izraelitë po flasin sinqerisht se ata nuk do të lejojnë që të arrihet heqja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit”,- tha ai.

Zarif vuri në dukje se qëllimi i Izraelit ishte të prishte negociatat për heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit.

“Sionistët duan të hakmerren ndaj popullit iranian në përgjigje të suksesit në heqjen e sanksioneve represive. Por ne nuk do ta lejojmë këtë dhe do të hakmerremi kundër sionistëve për këtë akt”,- paralajmëroi shefi i diplomacisë iraniane.

Ministri vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe “të ndjeshme” të negociatave, Irani duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mbrojtjes së impianteve bërthamore dhe shkencëtarëve.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Said Hatibzade ka thënë se përfshirja e Izraelit në këtë ngjarje është konfirmuar nga burime të ndryshme, ndërsa ka shtuar se vendi i tij nuk do t’i reduktojë punimet bërthamore.

Të dielën paradite ishte njoftuar se në Impiantin Bërthamor të Natanz-it kishte ndodhur një aksident në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas hetimeve të bëra në mbrëmje kreu i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Ekber Salihi e kishte cilësuar incidentin si “akt terrorist”. /trt