“Irani kërkoi ndihmë nga SHBA-ja pas aksidentit të helikopterit”

Matthew Miller

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Irani kërkoi ndihmë nga SHBA-ja pas aksidentit të helikopterit i cili transportonte presidentin e Iranit, Ebrahim Raisi dhe delegacionin që e shoqëronte, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për gazetarët, Miller theksoi se pas aksidentit të helikopterit në të cilin ndodhej Raisi dhe delegacioni, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, administrata e Teheranit kërkoi ndihmë nga SHBA-ja, por që nuk mund të japë detaje rreth brendësisë së ndihmës.

Duke thënë se palës tjetër i kanë përcjellë se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje “për çdo qeveri në këtë situatë” Miller deklaroi: “Nuk mundëm ta siguronim këtë ndihmë, kryesisht për arsye logjistike”.

– Aksidenti i helikopterit

Presidenti Raisi më 19 maj mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një dige në kufirin Iran-Azerbajxhan. Bashkë me Raisin edhe ministri i Jashtëm Abdollahian dhe disa zyrtarë të tjerë pësuan aksident me helikopter gjatë kthimit.

Me kërkesë të Iranit, Türkiye për aktivitetet e kërkim-shpëtimit caktoi mjetin pa pilot (dronin) Akıncı. Koordinatat e rrënojave të helikopterit që lokalizoi droni Akıncı, u ndanë me autoritetet iraniane. Ekipet iraniane që mbërritën në pikën e lokalizuar konstatuan se nuk kishte të mbijetuar nga aksidenti.

Pas konfirmimit të vdekjes së Raisit, zëvendëspresidenti i parë Mohammad Mokhber u ngarkua me detyrën e presidentit të përkohshëm.

Sipas Kushtetutës së Iranit, bordi i përbërë nga kryetari i parlamentit, kreu i gjyqësorit dhe zv/presidenti i parë duhet të bëjnë rregulloren me qëllim për zgjedhjen e presidentit të ri brenda 50 ditësh.

Presidenti në Iran zgjidhet nga populli mes kandidatëve të miratuar nga Këshilli i Mbrojtësve të Kushtetutës.