Korpusi i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) paralajmëroi të hënën se “asnjë port në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit nuk do të jetë i sigurt” pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën një bllokadë për të gjithë trafikun që hyn dhe del nga portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.
Siguria e porteve në Gjirin Persik dhe Detin e Omanit është “ose për të gjithë ose për askënd”, tha IRGC në një deklaratë të publikuar nga transmetuesi shtetëror IRIB.
Forcat e armatosura iraniane “e konsiderojnë mbrojtjen e të drejtave ligjore të vendit një detyrë natyrore dhe të ligjshme, dhe për këtë arsye ushtrimi i sovranitetit mbi ujërat territoriale të Iranit është një e drejtë natyrore e kombit iranian”, deklaroi ajo.
“Anijeve të lidhura me armikun” do t’u mohohet kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa anijet e tjera mund të kalojnë tranzit në përputhje me rregulloret e përcaktuara nga Teherani, vuri në dukje deklarata.
Duke përmendur “kërcënimet e vazhdueshme të armikut”, IRGC tha se Irani “do të zbatojë me vendosmëri një mekanizëm të përhershëm për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit” edhe pas luftës.
“Kufizimet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara kriminale mbi lëvizjen detare në ujërat ndërkombëtare janë të paligjshme dhe përbëjnë pirateri”, shtoi ajo.
Washingtoni njoftoi se nga ora 14:00 GMT të së hënës do të vendosë bllokadë ndaj porteve iraniane.
Lëvizja e SHBA-së erdhi pasi të dyja palët zhvilluan bisedime pa marrëveshje në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, të shtunën për t’i dhënë fund konfliktit të tyre, i cili filloi më 28 shkurt pas një ofensive të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Teheranit.





