Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-robi izraelit rrëfen se si iku nga bombardimet izraelite së bashku me...

Ish-robi izraelit rrëfen se si iku nga bombardimet izraelite së bashku me luftëtarin e Hamasit

Një ish-rob izraelit ka përshkruar momentet e tmerrshme gjatë luftës së Izraelit në Gaza, duke thënë se ai iku së bashku me një luftëtar të Hamasit për t’u mbijetuar bombardimeve intensive izraelite që shkaktuan shembjen e ndërtesave aty pranë, raporton Anadolu.

Eitan Mor, një ushtar izraelit i cili u mor rob gjatë ngjarjeve të 7 tetorit 2023, për Radion Ushtarake të Izraelit tha se ai përjetoi sulme ajrore të përsëritura izraelite ndërsa mbahej në Gaza, përfshirë sulme që pothuajse e varrosën të gjallë.

“Isha ulur në një apartament me luftëtarë të Hamasit kur një F-16 bombardoi një ndërtesë pranë nesh. Ai shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe. Ndërtesa ku ishim filloi të shembej mbi ne. Të gjithë po bërtisnin. Ndihesha si në një tërmet”, tha Mor.

Ai tha se gjatë kaosit, një nga luftëtarët e Hamasit i dha atij një armë dhe e udhëzoi të ikte. “Ai më dha armën dhe tha: ‘Vrapo pas meje'”, kujtoi Mor.

Kur u pyet nga prezantuesi i radios nëse ai mendonte të qëllonte luftëtarin, Mor u përgjigj: “Ta qëlloj dhe pastaj çfarë? Çfarë do të bëja më pas?” duke sugjeruar se mbijetesa e tij në atë moment varej tërësisht nga qëndrimi me të.

Mor tha se më vonë u zhvendos në një vend tjetër, por bombardimet izraelite vazhduan.

“Ndërsa isha ende rob, kishte një luftëtar të Hamasit përpara meje dhe dy pas meje. Papritmas, një ndërtesë pranë nesh në rrugë u bombardua. Ne të gjithë po vraponim për të shpëtuar jetën tonë”, tha ai.

Duke përshkruar skenën, Mor tha se mbeturinat po binin kudo ndërsa ata iknin nëpër rrugë në errësirë.

“Unë po vrapoja pas tij, duke u përpjekur të mos e humbisja. Në atë moment, kuptova se ushtria izraelite nuk e dinte se ku isha. Inteligjenca nuk kishte ide”, deklaroi ai.

Pas lirimit të tij, Mor tha se një oficer i inteligjencës izraelite ia konfirmoi këtë. “Ai më tha, ‘Eitan, ne nuk dinim asgjë për ty'”, tha Mor.

Mor nuk specifikoi vendndodhjen ose kohën e saktë të incidentit brenda Gazës.

Hamasi e ka akuzuar Izraelin për vrasjen e disa pengjeve izraelite në bombardime pa dallim në të gjithë Rripin e Gazës.

Më shumë se 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 171 mijë të tjerë janë plagosur në luftën izraelite që nga tetori i vitit 2023.

Sulmi u ndal sipas një marrëveshjeje armëpushimi më 10 tetor, por Izraeli ka vazhduar sulmet e tij, duke vrarë të paktën 492 persona dhe duke plagosur 1.356 të tjerë që nga marrëveshja, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.