“Islam” pa muslimanë!

Hoxhë Justinian Topulli

Ish myftiu i Egjiptit, ez’heristi Muhamed Abduhu (1849-1905) i atribuohet të ketë thënë, thuhet pasi u kthye nga Franca nga një konferencë:
“Shkova në Perëndim dhe gjeta Islam, por nuk gjeta muslimanë, dhe u ktheva në Lindje e gjeta muslimanë, por nuk gjeta Islam.”
Kjo shprehje është përhapur kaq shumë mes muslimanëve të sotëm, saqë është kthyer në një slogan, si të ishte hadith apo ajet Kurani, aq sa shumë e përsërisin atë pa e ditur, as se kush është autori i saj.
Por a është e vërtetë se këtë fjalë e ka thënë myftiu i asaj kohe i Egjiptit, Muhamed Abduhu (rahmet pastë)?
Studiues dhe dijetarë të ndryshëm pohojnë se nuk e kanë gjetur këtë fjalë të regjistruar në asnjë libër apo gazetë, ku janë përmendur fjalët e Shejh Muhamed Abduhut, kështu që edhe pse kjo thënie është shumë e njohur prej tij, ajo nuk provohet që të jetë thënë nga ai.
Por edhe thënia në vetvete është kontradiktore, sepse nuk mund të imagjinohet Islam pa muslimanë dhe as muslimanë pa Islam. Megjithatë, ata që e përmendin shpesh këtë thënie, e vendosin në kontekstin e lëvdatës së zhvillimit, përparimit, shkencës, dijes, respektimit të drejtësisë dhe të të gjitha gjërave të mira që Islami i nxit dhe i kërkon, të cilat Perëndimi i ka arritur, dhe kritikës së prapambetjes, padrejtësitë dhe të gjitha të ligat dhe mangësitë që ka në vendet muslimane në këto drejtime dhe që Islami i refuzon.
Mirëpo, pavarësisht këtij interpretimi, thënia ngelet në dukshmërinë e saj një e pavërtetë kaq e madhe, sa vështirë të besohet që atë ta ketë thënë një dijetar islam, aq më tepër myftiut të një shteti si Egjipti.
Islami, siç e dinë të gjithë, nis me pohimin e shehadetit, me shtyllat e besimit dhe ato të Islamit, që janë themeli i Islamit dhe elementet bazike të të qenit muslimanë. Pa diskutim që drejtësia, etika e sjelljes, dashuria për dijen, shkencën, zhvillimi i qytetërimit, kujdesi për mirëqenien e njerëzve etj., janë pjesë të rëndësishme të Islamit, por problemet që vendet muslimane kanë në këtë drejtim me shumicë dhe kriza morale, fetare, politike dhe qytetërimore që ato ka shekuj që po kalojnë, nuk i bëjnë këto vende, vende tërësisht pa Islam, sado mangësi që të ketë në to.
Në të njëjtën kohë, sado të mira të ketë arritur Perëndimi në drejtimet që u përmendën më lart, këto vende nuk mund të jenë islame, sepse u mungojnë themelet bazike nga të cilat nis Islami, që është dorëzimi, adhurimi dhe përulja ndaj Zotit, pa përmendur këtu me dhjetëra norma islame të tjera. Ndërkohë, Perëndimi ka shekuj që nuk i përulet dhe nuk adhuron më Zotin, por egon njerëzore, dhe çdo arritje e tij, që ka mahnitur pjesën tjetër të botës, i dedikohet pikërisht këtij idhulli të tij.
Por që nga shekulli XIX, kur kjo thënie mendohet se mund të jetë thënë, e deri më sot, Perëndimi ka shkuar shumë më larg, jo vetëm në shkencë, teknologji dhe përmirësim të administrimit të jetës dhe nevojave të njerëzve, por edhe në degradimin moral dhe largimin nga besimi në Zot dhe vlerat e tij themelore.
Shumë muslimanë emigrojnë dhe braktisin vendet e tyre, kryesisht për arsye ekonomike, për të gjetur një trajtim më të mirë në këtë drejtim në Perëndim, ndonjëherë edhe për më tepër liri politike dhe besimi, që ndodh që në vendet e tyre të mos e gjejnë, për shkak të regjimeve politike zullumqare, por sfida më e madhe, me të cilën ata përballen me kalimin e kohës në këto vende, është pikërisht mungesa e të jetuarit të Islamit në mjedisin e vet, mes muslimanëve. Sfida për ta, është lufta për të mos u asimiluar dhe tretur në këto shoqëri, të cilat edhe pse janë treguar mikpritëse, kostoja, me të cilën duhet paguar kjo mikpritje, mirëqenie etj., është shumë e rëndë, është tjetërsimi dhe zhbërja e Islamit, sidomos tek pasardhësit.
Sigurisht që jo të gjitha vendet në Perëndim janë njëlloj në këtë drejtim, por sido që të jetë, është afërmendsh që pakica muslimane atje, nuk mundet kurrsesi t’i imponohet shumicës, por është e kundërta. Kështu që guri rëndon në vendin e tij, thotë një fjalë e urtë popullore. Ndaj muslimanët duhet të kthehen në vendet e tyre, dhe atje të luftojnë dhe të përpiqen ta ndërtojnë jetën, me gjithë vështirësitë dhe sfidat që iu duhet të përballen. Këto vende nuk mund t’iu lihen pafundësisht kastave politike dhe ekonomike, apo edhe fetare të korruptuara, mediokre e zullumqare dhe pinjollëve të tyre, sepse janë vende që janë amanet nga Zoti, e nëse ndryshimin nuk e sjellin vendasit dhe bijtë e tyre, atëherë kush do ta sjellë këtë ndryshim?!

Nga: Hoxhë Justinian Topulli