Italia i jep fund gjendjes së jashtëzakonshme

Italia ka planifikuar t’i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme të koronavirusit më 31 mars dhe të heqë shumicën e masave kufizuese, njoftoi qeveria e kryeministrit Mario Draghi pas një takimi të kabinetit.

Nga prilli e në vazhdim, “certifikata e gjelbër”, të cilën banorët mund ta përdorin për të vërtetuar se kanë rezultuar negativë, janë vaksinuar ose janë shëruar nga koronavirusi, nuk do të kërkohet më në hotele, në transportin publik dhe në dyqane.

Kufizimet e hyrjes për vizitorët në ngjarjet publike gjithashtu do të hiqen, në kinematë, stadiumet sportive, ekspozitat dhe muzetë do të lejohen të pranojnë po aq njerëz sa para krizës së koronavirusit.

Detyrimi për të vërtetuar vaksinimin ose shërimin në ambiente publike të mbyllura, si restorante, salla sportive, institucione kulturore apo klube kërcimi do të qëndrojë në fuqi deri në datën 1 maj, kur do të shfuqizohet plotësisht certifikata e gjelbër.

Rregulloret e karantinës do të hiqen pothuajse plotësisht. Në të ardhmen, vetëm personat e infektuar do të duhet të izolohen, kontaktet e ngushta, qofshin të vaksinuara apo jo do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre në çdo kohë. Edhe në shkolla, vetëm fëmijët e infektuar do të duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Ashtu si në vendet e tjera, ka patur një rritje të numrit të infeksioneve me koronavirus në Itali. Një ditë më parë, autoritetet regjistruan rreth 80 000 infeksione të reja dhe 128 vdekje. /atsh