Izraeli dhe Maroku nënshkruajnë marrëveshje për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe

Kreu i misionit diplomatik të Izraelit në Marok, David Govrin, tha se institucionet e dy vendeve nënshkruan dy marrëveshje për të rritur bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe arsimit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja e parë u nënshkrua midis Konfederatës së Përgjithshme të Ndërmarrjeve Marokene (CGEM), grupi më i madh i korporatave në Marok dhe një prej kompanive më të mira të teknologjisë izraelite IBEO, u shpreh David Govrin në Twitter.

Një marrëveshje tjetër u nënshkrua midis Shkollës Kombëtare të Biznesit dhe Menaxhimit në Casablanca dhe Shkollës së Menaxhimit të Universitetit Tel Aviv, shtoi Govrin.

Ai u shpreh se marrëveshja do t’u sigurojë studentëve izraelitë dhe marokenë arsim më të mirë dhe mundësi për punësim.

Izraeli e emëroi Govrin-in, ish-ambasadorin e tij në Egjipt, si të ngarkuar me punë të përkohshme në Marok më 11 janar. Ky veprim erdhi 20 vjet pasi mbylli zyrën e saj të ndërlidhjes në vendin e Afrikës Veriore.

Në vitin 2000, Maroku prishi të gjitha marrëdhëniet me Izraelin pas përgjigjes së dhunshme të këtij të fundit ndaj intifadës së dytë palestineze dhe pezullimit të bisedimeve të paqes me palestinezët.

Por në dhjetor, Maroku rivendosi marrëdhëniet diplomatike nën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA. Ai u bë vendi i katërt arab që pranoi normalizimin me Izraelin në vitin 2020 pas Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit. /aa