Izraeli kërkon nga BE-ja të mos ndërhyjë në punën e brendshme të vendit

Eli Cohen dhe Josep Borrell

Izraeli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) që të mos ndërhyjë në punët e brendshme të vendit, pasi një zyrtar i lartë evropian kritikoi politikat izraelite kundër palestinezëve, transmeton Anadolu.

Kërkesa u bë gjatë një bisede telefonike midis ministrit izraelit të Punëve të Jashtme, Eli Cohen dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Izraeli është përballur me protesta masive në javët e fundit mbi planet e qeverisë për ndryshime gjyqësore të konsideruara nga opozita si një përpjekje për të reduktuar kompetencat e autoritetit gjyqësor në favor të autoritetit ekzekutiv.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Jashtme, Cohen kërkoi nga Borrell të ndalet financimi i palestinezëve dhe njëkohësisht denoncoi komentet e fundit të BE-së mbi politikat izraelite kundër palestinezëve.

“Nuk ka vend për krahasime dhe për krijimin e një ekuilibri midis viktimave të terrorit izraelit dhe terroristëve palestinezë të mbështetur nga Autoriteti Palestinez”, tha Cohen.

Javën e kaluar, Borrell në një artikull të publikuar tha se dhuna e kolonëve izraelitë po përshkallëzohet kundër palestinezëve dhe se operacionet ushtarake izraelite shpesh shkaktojnë vdekje të civilëve palestinezë.

“Dhuna nga ana e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor po kërcënon gjithnjë e më shumë jetën dhe jetesën e palestinezëve, pothuajse gjithmonë pa u ndëshkuar. Për më tepër, operacionet ushtarake izraelite shpesh shkaktojnë vdekje të civilëve palestinezë, shpesh pa përgjegjësi efektive… vendbanimet ilegale po zgjerohen në tokat e pushtuara dhe ‘status quo’-ja delikate në lidhje me vendet e shenjta po shkatërrohet”, tha Borrell.

Sipas shifrave palestineze, mbi 80 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit që nga fillimi i këtij viti. 14 izraelitë po ashtu janë vrarë në sulme gjatë të njëjtës periudhë.