Izraeli në ofensivë diplomatike kundër urdhrit të mundshëm të GJNP për arrestimin e Netanyahut

Qeveria e Izraelit është gjithnjë e më e shqetësuar se Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) do të lëshojë urdhër-arreste kundër politikanëve të lartë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe po bën përpjekje intensive për të parandaluar një vendim të mundshëm në këtë drejtim, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetën “The Times of Israel”, një zyrtar i lartë izraelit i paidentifikuar tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Izraelit po zhvillon fushatë për të parandaluar një vendim të mundshëm arrestimi.

Zyrtari izraelit nënvizoi se elementi kryesor që do të përbënte bazën e vendimit të mundshëm të arrestit të GJNP-së do të ishte “vrasja e qëllimshme e palestinezëve në Gaza me uri” nga Izraeli dhe konfirmoi pretendimet se SHBA-ja po bën përpjekje diplomatike për të parandaluar një vendim të mundshëm arresti.

Ndërsa në mediat izraelite u pasqyrua lajmi se Qeveria e Tel Avivit është gjithnjë e më e shqetësuar për vendimin e mundshëm të GJNP-së në lidhje me krimet e kryera nga ushtria izraelite në Gaza dhe u tha se javën e kaluar në Zyrën e kryeministrit izraelit u mbajt një “takim urgjent” lidhur me këtë çështje.

Një tjetër diplomat izraelit duke folur për “The Times of Israel” deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme është gjithashtu e përfshirë në këto përpjekje dhe shtoi: “Ne operojmë kudo që është e mundur”.

Analisti ushtarak izraelit, Amos Harel, në artikullin e tij të botuar në “Haaretz” tha se Qeveria e Tel Avivit po punonte me supozimin se kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Karim Khan, mund të lëshojë urdhër arresti për Netanyahun, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Herzi Halevi këtë javë.

– Netanyahu po zhvillon telefonata për të penguar vendimin e arrestit

Gazetari dhe analisti politik izraelit, Ben Caspit, në artikullin e tij për uebsajtin “Walla”, deklaroi se kryeministri Netanyahu ka zhvilluar telefonata për të penguar vendimin e arrestit dhe se ai “ushtron presion mbi telefonatat pa ndërprerje” ndaj liderëve, veçanërisht ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden.

Caspit theksoi se kryeministri izraelit Netanyahu është “jashtëzakonisht i shqetësuar” për mundësinë e lëshimit të një urdhër-arresti për të nga GJNP-ja.

“Shqetësimi” i Netanyahut lidhur me vendimin e mundshëm është pasqyruar edhe në gazetën izraelite “Maariv”. Gazeta raportoi se Netanyahu ishte “i frikësuar dhe i shqetësuar në mënyrë të panatyrshme” për shkak të mundësisë që një urdhër arresti të lëshohej nga GJNP-ja në Hagë.