Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se Izraeli ka kryer vrasje të synuara ndaj të paktën 14 shkencëtarëve iranianë gjatë sulmeve të tij ndaj Iranit.
Sipas burimit, në mesin e të vrarëve janë kimistë, fizikantë dhe inxhinierë. Lajmi është konfirmuar nga ambasadori izraelit në Francë, Joshua Zarka.
Ai tha se këto vrasje do ta bëjnë “pothuajse” të pamundur që Irani të ndërtojë armë nga infrastruktura dhe materiali bërthamor që mund t’i ketë mbijetuar bombardimeve nga SHBA dhe Izraeli.
“Fakti që e gjithë ky grup është eliminuar, i kthen pas disa vjet programit bërthamor të Iranit,” u shpreh Zarka për AP të hënën.
Ndërkohë, të martën televizioni shtetëror iranian raportoi se një tjetër shkencëtar bërthamor, Mohammad Reza Sedighi Saber, është vrarë nga një sulm izraelit. Ai kishte shpëtuar nga një sulm i mëparshëm më 13 qershor, ku ishte vrarë djali i tij 17-vjeçar.
Megjithatë, analistët thonë se Irani ka shkencëtarë të tjerë që mund të zëvendësojnë të vrarët dhe se këto vrasje mund të vonojnë, por jo të ndalin përfundimisht programin bërthamor të vendit. /mesazhi

