Izraeli shkatërron 3 ndërtesa palestineze në Bregun Perëndimor

Forcat izraelite shkatërruan tre ndërtesa palestineze në pjesën veriore të Kudsit Lindor, me arsyen se mungon leja e ndërtimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Dëshmitarët okularë thanë se strukturat u përdorën për shitjen e perimeve dhe mirëmbajtjen e makinave në zonën Abul Shaheed, në veri të postbllokut të kontrolluar nga Izraeli në Qalandia midis qytetit Ramallah dhe Kudsit.

Autoritetet lokale izraelite shpesh refuzojnë të japin leje ndërtimi për palestinezët në zonat nën kontrollin e Izraelit në Bregun Perëndimor.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), këtë vit u raportuan 698 raste të prishjes së strukturave palestineze, duke shkaktuar zhvendosjen e 949 palestinezëve në zonat e Bregut Perëndimor nën kontrollin izraelit, të njohura si zonat C.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 ndërmjet Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, Bregu Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tre pjesë: Zona A, B dhe C. Zona C është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë të Izraelit deri sa të arrihet një marrëveshje përfundimtare. /aa