Në një zhvillim të rëndë gjatë ditës së parë të Kurban Bajramit, një nga festat më të rëndësishme në Islam, ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e disa lagjeve në pjesën veriore të Rripit të Gazës, me qëllim bombardimin e infrastrukturës civile, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, bëri thirrje që banorët e blloqeve 608, 609, 615 dhe 616 në veri të Gazës të largohen menjëherë në drejtim të perëndimit. Ai e cilësoi këtë si një “paralajmërim para sulmit”, duke pretenduar se zonat në fjalë do të goditen për shkak të përdorimit të mundshëm për lëshimin e raketave.
Sidoqoftë, sipas raporteve, të premten nuk është regjistruar asnjë lëshim raketash nga Gaza.
Banorët e zonave të prekura janë refugjatë palestinezë të zhvendosur më herët gjatë luftës. Në fillim të konfliktit, Izraeli kishte detyruar evakuimin e të gjithë veriut të Gazës, duke i shtyrë civilët drejt jugut. Kohët e fundit, u lejuan kthime të kufizuara në disa pjesë të veriut, por me përshkallëzimin e sulmeve, evakuimet janë urdhëruar sërish.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë të ashpër ushtarake në Gaza, duke vrarë afër 54,700 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Ndërkohë, organizatat humanitare paralajmërojnë për rrezikun e urisë masive në mesin e mbi 2 milionë banorëve të enklavës.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Po ashtu, Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. /mesazhi



