Japonia do të ofrojë 2.1 milionë dollarë për sigurinë e centraleve bërthamore në Ukrainë

Qeveria e Japonisë do të ofrojë 2.1 milionë dollarë në mbështetje të aktiviteteve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të garantuar sigurinë e centraleve të fuqisë bërthamore në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i IAEA-së, Rafael Mariano Grossi në kuadër të një vizite në Tokio u takua me ministrin e Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi.

Në takim dyshja u dakordua për vazhdimin e bashkëpunimit në garantimin e sigurisë të centraleve bërthamore në Ukrainë ku vazhdojnë sulmet e Rusisë.

Ministri Hayashi tha se vendi i tij premton 2.1 milionë dollarë për të mbështetur aktivitetet e IAEA-së për garantimin e sigurisë së centraleve bërthamore në Ukrainë.

Mbështetja financiare e Japonisë për IAEA-në do të përfshijë furnizimin e agjencisë me pajisjet e nevojshme dhe dërgimin e ekspertëve në rajon.

Grossi në kuadër të vizitës së tij në Japoni, shqyrtoi edhe situatën e fundit të planit për shkarkimin në det të ujërave të ndotura radioaktive të mbledhura në centralin e fuqisë bërthamore Fukushima Daiichi në verilindje të vendit. /aa