Japonia goditet nga tajfuni më i fuqishëm në 25 vite

ANKARA (AA) – Jeta në Japoni është paralizuar, ndërsa qindra mijëra persona janë urdhëruar të evakuohen si pasojë e tajfunit Jebi, që është cilësuar si një nga më të fuqishmit në 25 vitet e fundit në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, e cila ka cituar Agjencinë Japoneze të Meteorologjisë, qindra fluturime dhe udhëtime hekurudhore janë anuluar si pasojë e reshjeve dhe erërave të forta të shkaktuara nga tajfuni që ka goditur qytetin Kobe në rajonin Hyogo dhe rajonin Tokushima në ishullin Shikoku, ndërkohë që autoritetet kanë dhënë urdhër për evakuimin e qindra mijëra njerëzve.

Një anije që është ankoruar në gjirin e Osakas është përplasur me një urë që lidh qytetin Izumisano dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Kansait të ndërtuar mbi një ishull artificial. 11 pjesëtarët e ekuipazhit shpëtuan pa marrë lëndime.

Ndërkaq, ujërat kanë vërshuar pistën e aeroportit dhe katin përdhes të terminalit.

Siç bëhet e ditur, shpejtësia e tajfunit Jebi ka arritur deri në 216 kilometra në orë.

Nga ana tjetër, Parku Tematik i Universal Studios në Osaka është mbyllur si pasojë e stuhisë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka pezulluar vizitën e planifikuar në rajonet jugperëndimore të vendit.

Abe është takuar me zyrtarë të qendrës për intervenime gjatë fatkeqësive, ndërsa ka paralajmëruar popullatën të marrin masa parandaluese dhe t’i braktisin shtëpitë në raste rreziqesh.