Jehona e Kongresit të Drejtshkrimit në Kosovë sipas dokumenteve të kohës

Nuridin Ahmeti

Para mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë, për të cilin ishin bërë përgatitjet, në Prishtinë u diskutuan për vite të tera rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt) siç i quajtën atëbotë. Njëra nga tryezat në fjalë, që ka tërhequr vëmendjen tonë, është edhe ajo, e organizuar nga drejtuesit e revistës së njohur, e cila merrej me probleme arsimore dhe pedagogjike “Shkëndija” dhe botohej në Prishtinë. Aq sa ne jemi në dijeni, shumë pak është përmendur ky organizim nga ata të cilët e kanë trajtuar këtë tematik.

Shkruan: Nuridin Ahmeti

Tryeza, duhet t’i ketë zhvilluar punimet nga mesi i dytë i muajit tetor të vitit 1972, por këto diskutime u publikuan në revistë më 1 nëntor të vitit 1972.

Siç thuhej në artikullin e kësaj reviste, të ilustruar edhe me disa fotografi të pjesëmarrësve, redaksia e revistës “duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij Kongresi, vendosi të shtrojë një Tryezë, kësaj radhe, me temën e këtij Kongresi”. Për këtë qëllim thuhej në këtë artikull ”u ftuan njohës dhe dashamirës të gjuhës, të cilët edhe me këtë rast, dhanë kontributin e tyre në të mirë të disa zgjidhjeve më të përshtatshme dhe folën në përgjithësi, mbi rëndësinë e Kongresit”.

Pjesëmarrës të kësaj tryeze ishin: Mehmet Gjevori, Sulejman Drini, Isa Bajçinca, Mehmet Shala, Sadri Alaj dhe Faik Shkodra.

Këtë tryezë e organizoi dhe e udhëhoqi, redaktori i atëhershme i kësaj reviste Jusuf Selimaj.

Për këtë organizim, unë kam shkëputur vetëm diskutimin e profesorit Isa Bajçinca të mbajtur në këtë tryezë. Ai kishte deklaruar në këtë organizim, se do të marr pjesë në këtë kongres dhe do të diskutoj për përdorimin e shkronjës “ë” te mbiemrat e prejardhur, mbajtja apo mos mbajtja e shkronjës “ë” dhe aoristin e foljeve “u mbuall, u muar, etj.”.

Profesor Isa Bajçinca, nuk fshehte gëzimin e tij në lidhje me përfundimin e punimeve të këtij kongresi, ai nuk hezitonte te shprehej se “Kongresi i drejtshkrimit po mbahet në kohë të duhur dhe rezultatet i presim me gëzim të madh të gjithë” -thoshte në këtë tryezë Profesor Bajçinca.

Përveç disa shkrimeve në gazeta e revista të kohës, për të cilat bëmë fjalë me lartë, gjatë hulumtimeve tona për këtë temë, kanë tërhequr vëmendjen tonë edhe disa dokumente të kohës, dhe sipas hulumtimeve tona të gjertanishme, këto dokumente janë të pa publikuara.

Njëri nga dokumentet që ne jemi referuar në këtë punim, është ai i datës 27 tetor të vitit 1972, i cili është një shënim nga biseda e dr. Syrja Pupovcit, prorektor i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës dhe Profesor Pajazit Nushit, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës. Biseda zhvillohet në zyrën e Profesor Pajazit Nushit dhe dokumenti mban emrin e tij si përpilues.

Dokumenti është në gjuhën serbokroate siç quhej atëherë, dhe është i rrahur me makinë shkrimi. Që në fillim të këtij materiali, thuhej se vetë nënkryetari Pajazit Nushi “ka shprehur dëshirën që të na informojë lidhur me bisedimet që kanë pasur me përfaqësuesit e Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe mbi ftesën e drejtuar nga rektori i këtij universiteti përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës që të marrin pjesë në Kongresin e Albanologëve në Tiranë”, dhe siç shihej, Kongresit të Drejtshkrimit këta i referohen me “Kongresi i Albanologëve në Tiranë”.

Në këtë takim, ata flasin mbi plotësimin protokollit, i cili do të nënshkruhet në mes të Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, dhe sipas tyre, duhet të plotësohet. Por, sipas shënimit në fjalë, shqetësimi i dy bashkëbiseduesve është se, studiuesit shqiptarë, e posaçërisht ata nga Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët kanë marrë pjesë në Konferencën shkencore mbi ilirët dhe gjenezën e tyre “e ka gëzuar” organizatorin dhe, sikundër të gjitha delegacionet e tjera, sipas tyre, gjatë kohës së pauzës, studiuesit shqiptarë nga ish-Jugosllavia janë përshëndetur edhe nga funksionarë më të lartë të partisë dhe të Shtetit shqiptar.

Pra është fjala për Kuvendin e parë të studimeve ilire të mbajtur në Tiranë nga 15 deri më 20 shtator të vitit 1972. Përpiluesi i këtij dokumenti ve në dijeni se “Universitetit të Prishtinës i është bërë ftesë që të marrë pjesë në Kongresin e Albanologëve, në të cilin do të vendosen bazat e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe.

Kongresi do të mbahet në Tiranë nga data 20-25.11.1972. Kanë shprehur edhe pikëpamjen sa i përket karakterit të përfundimeve. Në të vërtetë, ato duhet të përmbajnë vetëm elemente shkencore pa primesa politike. Kanë shfaqur edhe gatishmërinë për kontributin e tyre në këtë kongres” – thuhet mes tjerash në këtë shënim.

Siç del edhe nga shënimet tjera, pjesëmarrësit nga Kosova në këtë kongres, duhet të kenë pasur konsulta të thelluar në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, para se të nisen për Tiranë, sepse siç ve në dukje edhe Profesor Rexhep Qosja në ditarin e tij, dy ditë para se të fillonte punimet Kongresi, me datën 18 nëntor të vitin 1972, si pjesë e Komitetit Organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, se bashku me Profesor Idriz Ajetin, kishin mbajtur mbledhje në zyrën e drejtorit të atëhershëm të Institutit të Gjuhës dhe të Historisë, Profesorit Androkli Kostallarit.

Në ditar shkruan se “Profesor Idriz Ajeti, i cili dha disa sqarime në lidhje me këshillimin që ne, delegatët nga Kosova, kishim pasur para nisjes, në Rektoratin e Universitetit të Kosovës. Mund të merret me mend, tha profesori, se ai konsultim në të cilin kishte edhe ndonjë zyrtar krahinor, kishte karakter politik” – shkruan në mes tjerash Profesor Rexhep Qosja.

Shqetësimi i bashkëbiseduesve Nushi e Pupovci, se gjatë kohës së pauzës, në Konferencën për ilirët që u mbajt në Tiranë, studiuesit shqiptarë nga ish-Jugosllavia janë përshëndetur edhe nga funksionarë më të lartë të partisë dhe të Shtetit Shqiptar, për mendimin tim, kanë qenë sinjale, se duhet marr masa në këtë drejtim edhe ndaj delegatëve nga Kosova që do të marrin pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit, që një dukuri e tillë mos të përsëritet me pjesëmarrësit e kongresit. Në lidhje me këtë, dëshiroj ti referohem përsëri Profesor Rexhep Qosjes, i cili në ditarin e tij shkruan, se pas leximit të referatit kryesor nga Androkli Kostallari, “u dha pushim.

Delegatët dhe mysafirët dolën në hollin e Kuvendit, ndërsa disa prej tyre hynë në salla më të vogla e në kabinete zyrtarësh. Një numër i vogël, fare i vogël, i delegatëve u ftua të takohej me Enver Hoxhën, që ishte një kabinet afër Sallës në të cilën zhvillonte punimet Kongresi. Nuk isha ndër ta. Mjerisht” -shkruan Profesor Qosja. Mesa dihet deri me sot, delegatët nga Kosova nuk kishin pasur takime me njerëzit e politikës nga Shqipëria gjatë punimeve të Kongresit, me një fjalë ishin treguar të vëmendshëm.

Kjo, ilustrohet edhe me një fakt tjetër, të cilin e shënon Profesor Qosja, se gjatë pushimeve të punimeve të Kongresit, ishte afruar një kushëri i largët i Profesor Qosjes, i quajtur Sadik Bekteshi i cili jetonte në Shqipëri dhe, në bisedë e sipër e kishte ftuar Profesor Qosjen në shtëpinë e tij, por Profesori në konsultim me Profesorët Ali Hadrin dhe Idriz Ajetin, konkretisht Profesor Ali Hadri, do ta këshillonte Profesor Qosjen duke i thënë: “Mund të shkosh me të, por mbasi t’i shkosh në shtëpi, mos u nis për në Kosovë. Ambasada jugosllave këtu e merr vesh menjëherë dhe i njofton ata atje” – më këtë këshillë ishte pajtuar edhe Profesor Idriz Ajeti. Pra, delegatët nga Kosova, këshillimeve të marrura në rektorat, siç duket do t’ju përmbahen me kujdes maksimal.

Nga materialet dhe dokumentet e ndryshme të shfletuara në lidhje me këtë ngjarje, na rezulton se pjesa dërmuese e intelektualeve në Kosovë, nismat për këtë organizim dhe vendimet e këtij Kongresi i mirëpriten.

Edhe pjesëmarrësit e tryezës, për të cilën bëmë fjalë më lartë, nga ato deklarata që prezantohen në shtyp, duket se nismën për organizimin e Kongresit të Drejtshkrimit, e presin me dashamirësi dhe nuk hezitojnë të flasin me admirim. Pjesëmarrësit e kësaj tryeze, nismën për standardizimin e gjuhës sonë letrare, e vlerësuan si ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore, arsimore dhe mendore shqiptare, faktor të rëndësishëm në kristalizimin e gjuhës sonë kombëtare.

Elita politike e Kosovës së atëhershme, e priten me skepticizëm këtë nismë, duke pasur rezerva se ndoshta ky organizim, mund të ketë edhe prapavijë politike. Përkitazi me këtë ata i porositën që ky organizim “duhet të përmbajë vetëm elemente shkencore pa primesa politike”.

Ky punim është prezantuar në konferencën shkencore, “Një komb-një gjuhë”, që u mbajt më 23 nëntor 2022, në Prishtinë. Autori është doktor i shkencave të historisë dhe bashkëpunëtor i lartë shkencor në Degën e Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. /kallxo.com