Kadyrovi pranon se ka humbur shumë luftëtarë çeçenë në Ukrainë

Në një deklaratë të rrallë për situatën në frontin në Ukrainë, lideri çeçen Ramzan Kadyrov pranon se ka pasur humbje të mëdha në radhët e tij pas një sulmi artilerie nga ushtria ukrainase, shkruan Reuters.

“Në fillim të kësaj jave, një nga njësitë çeçene u granatua në rajonin Kherson. 23 luftëtarë u vranë dhe 58 u plagosen”, ka thënë Kadyrov.

Aleati i Kremlinit rrallë ka pranuar se ka humbur ushtarët e tij, por pranoi se ajo ditë ishte shumë e rëndë.

Burimet ukrainase raportuan në fillim të kësaj jave se një njësi çeçene në rajonin Kherson të Ukrainës jugore dha vendndodhjen e saj përmes fotove në mediat sociale, duke bërë që ajo të goditet nga zjarri artilerie.

Komentet e Kadyrovit janë të pazakonta duke pasur parasysh se forcat ruse rrallë pranojnë humbje të mëdha në fushën e betejës dhe zyrtarët rusë nuk japin shifrat e tyre të viktimave.

Udhëheqësi çeçen u bëri thirrje gjithashtu bashkatdhetarëve që të mobilizohen për luftën në Ukrainë.

Që nga fillimi i luftës së Rusisë më shumë se tetë muaj më parë, Kadyrovi është shquar si një nga mbështetësit më të mëdhenj të luftës dhe ka dërguar trupat e tij në Ukrainë. /koha