Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kanada dënon “fuqishëm” sulmet ajrore izraelite në Liban, bën thirrje për “armëpushim...

Kanada dënon “fuqishëm” sulmet ajrore izraelite në Liban, bën thirrje për “armëpushim të përhershëm”

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kanadasë, Anita Anand, ka dënuar “fuqishëm” sulmet ajrore izraelite në të gjithë Libanin, duke i bërë thirrje Tel Avivit të respektojë integritetin territorial të vendit, transmeton Anadolu.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ajrore të ndërmarra nga Izraeli në të gjithë Libanin, përfshirë në Bejrut, të cilat kanë vrarë civilë dhe kanë shënjestruar infrastrukturën civile”, shkroi Anand në rrjetin social amerikan X.

Duke dënuar gjithashtu sulmet e Hezbollahut kundër Izraelit, Anand i bëri thirrje grupit që “të çarmatoset menjëherë dhe të zbatojë vendimet e nxjerra nga qeveria e Libanit”.

Anand theksoi se “respektimi dhe mbrojtja e civilëve janë të panegociueshme dhe të detyrueshme sipas së drejtës ndërkombëtare”.

Duke theksuar se Otava “mbështet fuqishëm përpjekjet e qeverisë libaneze për të rikthyer dhe ushtruar autoritet të plotë shtetëror”, ajo tha se integriteti territorial dhe sovraniteti i Libanit “duhet të respektohen”.

Shefja e diplomacisë kanadeze gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të avancojnë drejt “një zgjidhjeje diplomatike të besueshme dhe të qëndrueshme” për konfliktin.

Dje, Izraeli kreu një nga sulmet e tij më të mëdha në Liban që nga fillimi i ofensivës ushtarake kundër Hezbollahut në fillim të muajit të kaluar. Sipas Mbrojtjes Civile të Libanit, sulmet kanë vrarë të paktën 254 persona dhe kanë plagosur 1.165 të tjerë.

Përshkallëzimi ka ngritur shqetësime për një riokupim të mundshëm izraelit të Libanit jugor, që mund të shtrihet deri në lumin Litani.