Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kanada kërkon përfshirjen e Libanit në armëpushimin SHBA-Iran mes intensifikimit të sulmeve...

Kanada kërkon përfshirjen e Libanit në armëpushimin SHBA-Iran mes intensifikimit të sulmeve izraelite

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka theksuar nevojën që Libani të përfshihet në armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-së, në kushtet e përshkallëzimit të sulmeve izraelite në vend, transmeton Anadolu.

“Armëpushimi është shumë i brishtë. Mendoj se kjo është e qartë,” u tha Carney gazetarëve në një aktivitet në Quebec, ku njoftoi një “iniciativë të rëndësishme” për të diversifikuar tregtinë e Kanadasë dhe për të forcuar ekonominë e saj.

I pyetur për situatën në Liban dhe nëse duhet të vendosen sanksione ndaj Izraelit, Carney tha se “armëpushimi (SHBA-Iran) duhet të përfshijë Libanin”, duke shtuar se kjo “duhet të jetë realiteti në terren”.

Duke theksuar nevojën për ta vënë grupin libanez Hezbollah “nën kontroll”, ai shprehu gatishmërinë dhe “ndikimin” e Kanadasë për të mbështetur qeverinë libaneze në përpjekjet e saj kundër Hezbollahut.

Megjithatë, Carney hodhi poshtë mundësinë e sanksioneve ndaj Izraelit, duke theksuar: “Nuk do të shkoja te ajo që po sugjeroni si metodë në këtë moment, në këtë periudhë delikate”.

“Por armëpushimi duhet të përfshijë Libanin dhe duhet ta përfshijë tani”, shtoi ai.

Ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet në të gjithë Libanin, pavarësisht një armëpushimi dyjavor mes Washingtonit dhe Teheranit të ndërmjetësuar nga Pakistani, si hap drejt një marrëveshjeje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës së nisur më 28 shkurt.

Dje, Izraeli kreu një nga sulmet më të mëdha në Liban, që nga fillimi i ofensivës ushtarake kundër Hezbollahut në fillim të muajit të kaluar. Sipas Mbrojtjes Civile të Libanit, sulmet kanë vrarë të paktën 254 persona dhe kanë plagosur 1.165 të tjerë.

Përshkallëzimi ka ngritur shqetësime për një riokupim të mundshëm izraelit të Libanit jugor, që mund të shtrihet deri në lumin Litani.