Një shofer musliman i Uber-it u shënjestrua në një sulm të dhunshëm javën e kaluar në Montreal, duke ngritur shqetësime lidhur me rritjen e urrejtjes anti-muslimane në Quebec të Kanadasë, sipas një deklarate nga Këshilli Kombëtar i Muslimanëve Kanadezë (NCCM), transmeton Anadolu.
NCCM tha se shoferi i shpëtoi për pak një atentati ndaj jetës së tij pasi një pasagjer dyshohet se kërkoi që ai të zbulonte besimin e tij para se ta kërcënonte me fjalët: “Do të të pres fytin”.
Sulmi u parandalua nga ndërhyrja e një pasagjeri tjetër, duke shmangur lëndime serioze.
“Është thellësisht shqetësuese të shohësh diçka të tillë të ndodhë këtu, në provincën tonë të Quebec-ut. Muslimanët nuk janë kërcënim. Është koha që udhëheqësit tanë politikë ta thonë këtë qartë dhe të ndërmarrin veprime për të ndaluar rritjen e urrejtjes”, tha drejtori ekzekutiv i NCCM, Stephen Brown.
NCCM tha se askush në Quebec nuk duhet të ketë frikë për jetën e tij për shkak të fesë dhe theksoi se më shumë informacion është ende duke u verifikuar.
Grupi tha se është në kontakt me forcat e ligjit për të siguruar që i dyshuari të mbahet përgjegjës dhe u bëri thirrje udhëheqësve të Quebec-ut që ta dënojnë fuqishëm sulmin dhe të marrin masa konkrete për të ulur tensionet në të gjithë provincën.



