Departamenti i Policisë së Nju Jorkut (NYPD) ka njoftuar se njësia kundër krimeve të urrejtjes po heton kërcënimet anti-muslimane ndaj kandidatit për kryetar bashkie, Zohran Mamdani, ndërkohë që një incident i veçantë përfshiu përfaqësuesin republikan Max Miller nga Ohio, i cili tha se u “shty nga rruga” nga një drejtues mjeti me flamur palestinez.
Këto raste janë ndër më të fundit në SHBA që kanë ngritur shqetësime për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve ndaj amerikanëve me prejardhje muslimane, arabe, hebreje, izraelite apo palestineze që nga nisja e luftës në Gaza në fund të vitit 2023.
Zëdhënësi i NYPD tha se Mamdani, anëtar i Asamblesë Shtetërore të Nju Jorkut dhe kandidat për kryetar bashkie, raportoi të mërkurën në orën 09:45 se kishte marrë katër mesazhe zanore në ditë të ndryshme me përmbajtje kërcënuese dhe anti-muslimane nga një person i panjohur.
Gazeta New York Daily News raportoi se një burrë e kishte kërcënuar Mamdanin se do t’ia hidhte makinën në erë. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim dhe hetimet vazhdojnë. Mamdani nuk ka komentuar menjëherë.
Ndërkohë, përfaqësuesi republikan Max Miller nga Ohio shkroi në platformën X se të enjten, ai dhe familja e tij u “shtynë nga rruga” në qytetin Rocky River dhe u kërcënuan nga një person që valëviti një flamur palestinez përpara se të largohej.
“Sot më shtynë nga rruga në Rocky River dhe mua dhe familjes sime na u kërcënua jeta nga një person që shfaqi një flamur palestinez përpara se të ikte,” shkroi Miller, i cili është hebre dhe mbështetës i Izraelit. Ai e cilësoi incidentin si antisemitik, ndërsa udhëheqës të Kongresit nga të dy krahët e dënuan ngjarjen. /mesazhi