Kaptina El-Asr, rrugët e shpëtimit të njeriut

Dr. Valmire Batatina Krasniqi

Kurani është një udhërrëfyes hyjnor që përfshin tërë jetën e njeriut, duke e udhëzuar atë për në rrugën e vërtetë. Ai është një sistem i përsosur, i cili rregullon marrëdhëniet ndërmjet Allahut të Madhëruar dhe njerëzve, si dhe njerëzve ndërmjet vete, i disiplinon ata me rregulla hyjnore, i lartëson duke i këshilluar për të mirë dhe duke ndaluar nga të ligat. Një ndër kaptinat që flet mbi këto virtyte të larta morale është edhe ajo El Asr, e zbritur në Meke me vetëm tre ajete. Edhe pse është e shkurtër, me përmbajtjen e vet sqaron shumë mirë virtytet thelbësore dhe jetike, të cilat janë faktor i fatbardhësisë së njeriut në të dy jetët, e në anën tjetër shpjegon edhe se jeta e njeriut është dështim nëse nuk posedohen cilësitë e përmendura: besimi, vepra e mirë, këshillimi i njëri-tjetrit me të vërtetën, të drejtën dhe këshillimin e njëri-tjetrit për durim e qëndrim të fortë.

Lidhshmëria e kaptinës Asr me kaptinat e tjera

Kjo sure ka lidhshmëri të ngushtë me kaptinën paraprake Tekathur, duke u nisur nga fakti se në kaptinën Tekathur bëhet fjalë për angazhimin dhe përpjekjen e njerëzve të mashtruar me pasurinë e kësaj bote deri në çastin kur befas vdekja ua ndërpret atë përjetim dhe prej pallateve i sjell në varre. Përfundon me shpjegimin rreth trishtimit, të cilin do të ndiejnë njerëzit, pos atyre që përveç besimit kanë bërë edhe vepra të mira. Shikuar nga ky këndvështrim, kaptina Asr, ka një lidhshmëri të fortë me atë paraprake, sepse në këtë kaptinë rrëfimi fillon me faktin se njeriu është në një humbje të sigurt dhe se ekziston vetëm një rrugë që mund ta shpëtojë atë nga kjo humbje.(1)
Sa i përket përmbajtjes shihet se kaptina Asr ka lidhshmëri edhe me kaptinën që zë vend pas saj në radhitjen kuranore, atë Humezeh. Sepse në këtë kaptinë bëhet fjalë për njerëzit, të cilët në vend që të bëhen këshillues, ata ofendojnë, përqeshin, nënçmojnë, tallen me të tjerët. Janë të mashtruar pas pasurisë së madhe dhe mendojnë se do të jenë përgjithmonë në këtë botë. Kjo sure u tregon atyre se fundi i rebelëve të tillë do të jetë zjarri, që kurrë nuk ftohet, zjarri që bën copë e thërrime çka të hidhet në të dhe që është i mbyllur. Si rrjedhojë, kaptina Asr, ka një lidhshmëri të ngushtë dhe të pathyeshme me atë Humezeh, ngase në këtë kaptinë bëhet e qartë se humbja e sigurt e njeriut e përmendur në kaptinën Asr është vendqëndrimi i shëmtuar i tij në Ahiret.(2)

Shprehja “Asr” dhe kuptimi i saj

Zoti i Madhëruar betohet në krijesat e Tij në shumë ajete kuranore. Këto betime ndonjëherë realizohen në formë pohore, si në kaptinat Duha dhe Asr, e herë-herë në atë mohore, si në kaptinat Beled dhe Kijame. Këto dhe betime të ngjashme në Kuran, janë për shkak se Allahu i Lartmadhëruar është Krijuesi i universit dhe të gjitha krijesave në të, ndaj për Të është e denjë të betohet në çdo krijesë që Ai do, pasi çdo gjë është nën urdhrin e Tij dhe është subjekt që dëshmon madhërinë e Tij. Si rrjedhojë, me betimin e Allahut të Madhëruar në krijesat e Tij, assesi nuk nënkuptohet shenjtërimi (hyjnizimi) dhe madhërimi i tyre, por me të synohet dëshmia, argumenti dhe ftesa e mendarëve për meditim dhe për të nxjerrë mësim, gjë që në fakt është vërtetuar të ketë gjetur përdorim në të folurin origjinal të arabëve, në gjuhën e të cilëve zbriti Kurani fisnik. Ndërsa shprehja “asr” e përmendur në ajetin e parë të kësaj kaptine ka kuptimin leksikor të kohës, kohës në të cilën jetojmë ose shekull, namazi i ikindisë, koha e ikindisë, koha e ditës dhe e natës.(3) Ndërsa në kuptimin e përgjithshëm, Zoti i Madhërishëm betohet në kohën “Betohem në kohën!”(4), për të theksuar që ajo është gjëja më e çmueshme për njeriun, nëse e shfrytëzon atë si duhet. Është këshilluesi më i mirë që të jep mësim se si i dobëti dhe i ligu me angazhimin e tij në punë, në dituri arrin të bëhet më i fortë dhe më i lartë, ndërsa ai që ishte i fortë e i lartë me përtacinë e tij bëhet më i dobëti. Koha është përplot ndodhi e ngjarje të çuditshme; njerëz të mëdhenj humbin vlerën, njerëz të panjohur arrijnë famë, pasanikët varfërohen, të varfrit pasurohen, e kështu me radhë në të gjitha fushat e jetës, prandaj duhet marrë mësim, që të mos humbim e të dështojmë në jetë.

Rrugët e shpëtimit në këndvështrimin e kaptinës El Asr

Rrëfimi në kaptinën El Asr, pas betimit vazhdon me dëshminë “Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.”(5) Me këtë koncept vihet në mendje se nëse njeriu i cili nuk i përgjigjet urdhrave të Zotit dhe nuk e përdor mendjen, do të privohet nga lumturia e kësaj bote dhe e Ahiretit.(6) Ngase zhgënjim dhe humbje e vërtetë nuk do të thotë vetëm privimi nga lumturia në botën e përkohshme, por është në Ahiretin e përjetshëm. Shikuar në këndvështrimin kuranor, marrëdhënia midis Krijuesit dhe robit i ngjan një marrëdhënieje tregtare, në të cilën Zoti i Lartësuar ka blerë jetën e besimtarëve dhe pasurinë e tyre në këmbim të Xhenetit,(7) dhe se ekziston një tregti e bujshme që do t’i shpëtojë ata nga dënimi i dhembshëm.(8) Këtë lloj të tregtisë nuk mund ta dëmtojë asgjë tjetër përveç “humbjes së vërtetë”, ndërsa përfituesit e saj janë ata që besuan Zotin dhe ndoqën urdhrat e Tij. Sipas interpretuesve të Kuranit, shprehja “el-insan” në këtë ajet kuranor nuk nënkupton thjesht vetëm një njëri, por me këtë nënkuptohet një qenie njerëzore e përgjegjshme që ka arritur moshën madhore dhe që mund të dallojë të mirën nga e keqja.(9) Si rrjedhojë, përveç fëmijëve që nuk janë përgjegjës, që nuk mund të dallojnë të mirën nga e keqja dhe të paaftëve, të gjithë njerëzit janë në zhgënjim dhe humbje të vërtetë, me përjashtim të atyre që përmenden në ajetet vijuese të kësaj kaptine. Sepse kapitali më i çmuar i njeriut është jeta e tij, e që megjithatë është e limituar, fundi i së cilës afrohet me marrjen e çdo frymëmarrjeje, kalimin e çdo ore, dite, jave, muaji, dhe kështu afrohet dhënia e llogarisë. Meqenëse njeriu nuk është shpikësi dhe as pronari i jetës së tij, por atë e pranoi në besë nga Allahu i Madhërishëm që ta përdorë në formën më të bukur në kuadër të vullnetit të Tij për një periudhë kohore të kufizuar, atëherë shpëtimi dhe përfitimi i njeriut varet nga forma e përdorimit të kohës që i është dhënë atij.(10) Në këtë mënyrë, pasi njeriu t›ia kthejë këtë pasuri pronarit që e ka dhënë në amanet, ose do ta shpëtojë veten e tij në ditën e llogaritjes sipas fitimit të mirë ose do të jetë i zhgënjyer dhe i humbur. Ata që pësojnë humbjen më të madhe janë ata që në ditën e Gjykimit e çojnë veten dhe familjet e tyre në humbje dhe zhgënjim. Mehmet Akifi thekson dëmet e kohës që njerëzit kalojnë me shkujdesje duke thënë: “Ai nuk i dëgjon zhgënjimet që vuan sepse shumica prej nesh…”(11)
Nga kjo humbje mund të shpëtojnë vetëm ata që kanë këto cilësi: “Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”(12)
Në ajet vihet në theks se kushti i parë për të shpëtuar nga humbja është imani. Shprehja “iman” e cila në Kuranin fisnik është përmendur në më shumë se tetëqind vende, në aspektin leksikor ka kuptimin e “vërtetësisë, besimit”, kurse në aspektin e përgjithshëm paraqet besimin në Zotin e Madhëruar, në melaqet e Tij, në librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit, në vendimin dhe caktimin e Tij, bindjen dhe nënshtrimin e robit ndaj Zotit të Tij.(13)
Në këtë kaptinë, pas besimit, si kushti i parë që njeriu të shpëtojë nga humbja dhe të arrijë lumturinë dhe shpërblimin e përjetshëm, si kusht i dytë përmenden veprat e mira, të cilat janë të domosdoshme pas besimit. Sepse edhe pse besimi është një veprim që i atribuohet zemrës,(14) ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis tij dhe veprave të mira. Pra, besimi nuk duhet të mbetet vetëm në zemrat dhe gjuhët e njerëzve, por duhet reflektuar edhe në punët e tyre. Punët i kryejnë në përshtatje me besimin e tyre, për kënaqësinë e Allahut xh.sh. në përshtatje me urdhrat e zbritura nga Ai. Interpretuesit e Kuranit në sqarimin e ajetit në fjalë, theksojnë se shprehja “amilu’s-salihat” ashtu siç paraqet të gjitha veprat e urdhëruara dhe të miratuara nga Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi a.s., dhe shmangia nga ndalesat, po ashtu paraqet të gjitha veprat e mira të miratuara nga mendja, Kurani dhe Suneti dhe të cilat vërtetohen me prova racionale dhe tradicionale, si dhe me këtë shprehje nënkuptohen të gjitha veprimet që përfshijnë sjelljet e mira që lidhen me adhurimin dhe moralin.(15) Në Kuranin fisnik, në kuadër të veprave të mira përmenden disa veprime si adhurimi i Zotit të Madhëruar dhe pasimi i të dërguarit të Tij,(16) ndihma ndaj nevojtarëve dhe të varfërve,(17) lufta në rrugën e Zotit për të fituar kënaqësinë e Tij,(18) drejtësia, ndihma e njëri-tjetrit në devotshmëri(19) etj.. Megjithatë, ka një pikë që nuk duhet anashkaluar, se për të qenë të vlefshme veprat e mira, duhet të janë të mbështetura me iman-besim, sepse pa besim, vepra e bërë nuk ka kuptim. Prandaj në Kuran kudo që është përmendur vepra e mirë, së bashku me të, në të njëjtin kuadër është përmendur edhe besimi.
Përveç besimit në Allahun dhe veprave të mira në kaptinën El Asr si parim i tretë që njeriu të arrijë vërtet shpëtimin në dynja dhe në Ahiret, përmendet “këshillimi ndaj njëri- tjetrit t’i përmbahen të vërtetës”.(20) Folja në kohën e shkuar “et-teuasau” e përmendur në ajet nënkupton dy individ që këshillojnë njëri-tjetrin ndërsjellas. Duke u nisur nga ky fakt, kuptimi i ajetit mund të jetë: “Ata që besuan, bënë vepra të mira dhe këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën, janë të shpëtuar”. Shprehja “hak”, e cila në Kuran përmendet në 247 vende, përgjithësisht përdoret në kuptimin e të “vërtetës” dhe është e kundërta e fjalës “batil” e shtrembër. Ndërsa në aspektin e përgjithshëm, kjo shprehje ka dy kuptime: E para, fjalë e përshtatshme me drejtësinë dhe të vërtetën. E dyta, e vërteta që duhet sjellë në vend.(21) Nga e gjithë kjo mund të thuhet se meqenëse njeriu është anëtar i shoqërisë në të cilën jeton, ai ka disa përgjegjësi dhe detyrime ndaj tyre. Si rrjedhojë, së pari, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira nuk duhet të mjaftohen me kaq, në të njëjtën kohë duhet të përpiqen të formojnë një shoqëri besimtare dhe të drejtë. E dyta, që kjo shoqëri të ruhet nga shthurja çdo person duhet ta dijë përgjegjësinë që i takon, ngase në një shoqëri ku nuk ka paqe dhe lumturi, asnjëherë nuk do të jetë e mundur që njeriu të ketë rehati dhe përparim. Pra, çdo individ ashtu siç beson në Allahun dhe bën vepra të mira për të arritur kënaqësinë e Zotit të tij, ai duhet t’i këshillojë të tjerët për në rrugën e vërtetë. Nëse në shoqëri nuk ekziston një frymë e tillë, ajo nuk mund të shpëtojë nga humbja. Ata që janë të drejtë e të vërtetë për veten e tyre, nëse nuk përpiqen që shoqëria të mos shkatërrohet, nuk mund të vazhdojnë të jenë të drejtë dhe nuk mund të shpëtojnë nga humbja.
Parimi i katërt, i përmendur në kaptinën El Asr për shpëtimin e njerëzve në këtë botë dhe në Ahiret është “këshillimi i njërit-tjetrit në durim”.(22) Shprehja “sabër” që në aspektin leksikor do të thotë “të parandalosh, të ndalosh, të jesh i fortë dhe rezistent”, në kuptim të përgjithshëm paraqet rezistencën ndaj presionit të epsheve dhe pasioneve,(23) apo rezistencën e treguar për të mënjanuar trishtimin,
dhimbjen, vështirësitë, brengat dhe telashet, ose për të ndryshuar gjërat e liga në të mirë, për të bërë një vepër të mirë ose për të shmangur të keqen. Nisur nga ky fakt, paralelisht me këshillimin në rrugë të drejtë, duhet të jetë edhe këshillimi për të qenë i durueshëm në këtë rrugë që të shpëtojnë besimtarët dhe të gjithë anëtarët e shoqërisë. Pra, duhet t’i këshillojnë durimin njëri-tjetrit përballë çdo vështirësie që mund të përballen në këtë rrugë, përballë fatkeqësive dhe dëmeve të ndryshme. Mund të thuhet se durimi për ngjarjet që ndodhin në jetën e individit dhe shoqërisë dhe rekomandimi i tjetrit për durim është një nga sjelljet e virtytshme që vlerësohet në Islam. Ngase mbi të gjitha durimi nënkupton mbrojtjen e shpirtit nga ankthi, ruajtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e organeve nga sjelljet e shëmtuara, ruajtjen e qetësisë në çdo gjendje, mos dallimin në mes të bekimit dhe zemërimit dhe mos drejtimin me lutje te dikush tjetër, përveçse tek Allahu i Madhëruar. Durimi është thelbësor përballë stresit, fatkeqësisë dhe vështirësive. Shpresa, vendosmëria dhe durimi janë gjithashtu çelësat e transformimit të stresit në lumturi. Zoti i Lartë, ashtu siç e sprovoi Ademin duke mos iu afruar pemës, po ashtu sprovon njerëzit për durim dhe mirënjohje në çdo gjendje dhe situatë. Kjo sprovë mund të kalohet me durim ndaj telasheve dhe fatkeqësive dhe me falënderim për çdo mirësi. Ata që duan të shpëtojnë nga fatkeqësitë, të cilat i kaplojnë individët apo shoqëritë, duhet të punojnë në përputhje me tekstin kuranor dhe të lidhen fortë me katër parimet e përshkruara në këtë kaptinë, ngase këto katër parime janë të mjaftueshme për të siguruar shpëtimin dhe lumturinë e njerëzve si në këtë botë po ashtu dhe në atë të mëtejme.

__________________________
1 Es Sekafi, El Burhan fi Tenasubi Suveri’l-Kur’an, fq. 2017.
2 Es Sekafi, El Burhan fi Tenasubi Suveri’l-Kur’an, fq. 2018.
3 Isfehani, Mufredat, fq.569.
4 Asr, 103/1.
5 Asr 103/2.
6 Isfehani, Mufredat, fq. 230. Maturidi, Te’vilatüul-Kur’an, XVII, 317.
7 Tevbe, 9/111.
8 Saf, 61/10.
9 Razi, Mefatihu’l-Gajb, XXXII, 278. 10 Nexhm, 53/39.
11 Ersoj, Safahat, “Sulejmanije Kursusunde”, fq.387. 12 Asr, 103/3.
13 Taberi, Xhamiu’l-Bejan, XXIV, 590; Ibn kethir, Tefsiru’l-Kur’ani’l-Adhim, VIII, 480.
14 Huxhurat 49/14; Mücadele 58/22
15 Taberi, Xhamiu’l-Bejan, II, 287; Zemahsheri, Keshshaf, I, 125. 16 Nisa, 4/59; Enfal, 8/20.
17 Tevbe, 9/60; Isra, 17/26.
18 Bekare, 2/190; Nisa, 4/59, 84.
19 Bekare, 2/241, 281; A’raf, 7/29, Maide, 5/2. 20 Asr, 103/3.
21 Ibën Manzur, Lisanu’l-Arab, II, 230. 22 Asr, 103/3.
23 Gazali, IV, 63.

Nga: Dr. Valmire Batatina Krasniqi /islamgjakova