Kashmir, vriten 4 pjesëtarë të forcave indiane dhe një civil

Katër pjesëtarë të forcave indiane të sigurisë dhe një civil u vranë të premten në një përleshje të armatosur me militantët në veri të Kashmirit, njoftoi policia, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Dy policë, dy pjesëtarë të forcave rezervë të policisë CRPF dhe një civil u plagosën rëndë të cilët më vonë iu nënshtruan plagëve”, thuhet në deklaratë.

Policia identifikoi civilin si 21-vjeçari Wasim Ahmad Mira, i cili u qëllua nga një plumb dhe më pas vdiq. Deklarata nuk konfirmoi nëse kishte viktima në mesin e militantëve.

Jammu dhe Kashmir është rajon i Himalajeve me shumicë muslimane, kontrollohet nga India dhe Pakistani, ku të dyja vendet pretendojnë se kanë të drejta të plota mbi të. Një pjesë e vogël e Kashmirit gjithashtu kontrollohet nga Kina.

Tensionet midis Indisë dhe Pakistanit në Kashmir u përshkallëzuan më 14 shkurt, kur në një sulm të militantëve ndaj një autokolone u vranë 44 ushtarë indianë dhe 20 të tjerë janë plagosur. India akuzoi pakistanezët për sulmin, ndërsa Islamabadi zyrtar hodhi poshtë akuzat dhe dënoi sulmin. Më 26 shkurt, forcat indiane kryen sulme ajrore në një kamp të vendosur në anën pakistaneze të vijës së demarkacionit.

Tensionet u përshkallëzuan të mërkurën, kur ushtria pakistaneze rrëzuoi dy avionë të ushtrisë indiane që kishin shkelur hapësirën ajrore pakistaneze. Nga ana tjetër, tre avionë pakistanezë hynë gjithashtu në hapësirën ajrore të Indisë dhe shkaktuan reagimin e forcave indiane. Mediat lokale raportojnë se forcat indiane kanë rrëzuar një bombardues pakistanez F16.