Bashkëjetesa paqësore, sovraniteti kombëtar, respekti për të drejtën ndërkombëtare, zhvillimi dhe siguria.
Bashkëjetesa paqësore, sovraniteti kombëtar, respekti për të drejtën ndërkombëtare dhe zhvillimi e siguria. Këto janë katër pikat e propozimit të Kinës për një zgjidhje të konfliktit SHBA-Iran. Mao Ning, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, i postoi ato në mediat sociale. “Presidenti Xi Jinping ka paraqitur katër propozime për të mbrojtur dhe promovuar paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”- shkroi ajo.
1. Bashkëjetesa paqësore
Pika e parë e propozuar nga Kina është vazhdim i përkushtimit ndaj parimit të bashkëjetesës paqësore. Shtetet e Gjirit në Lindjen e Mesme janë fqinjë të ngushtë që nuk mund të zhvendosen. Është e rëndësishme të mbështeten shtetet e Gjirit në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre, të punojnë për të ndërtuar një arkitekturë sigurie të përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme për Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit, dhe të konsolidohen themelet për bashkëjetesën paqësore.
2. Ruajtja e sovranitetit kombëtar
Sovraniteti është baza për mbijetesën dhe zhvillimin e të gjitha vendeve, veçanërisht të vendeve në zhvillim, dhe nuk duhet të shkelet. Pekini thekson se sovraniteti, siguria dhe integriteti territorial i shteteve të Gjirit Persik duhet të respektohen seriozisht dhe siguria e personelit, objekteve dhe institucioneve të tyre duhet të mbrohet fuqishëm.
3. E drejta ndërkombëtare
Angazhimi i tretë i kërkuar nga Pekini është mbështetja e parimit të sundimit të ligjit ndërkombëtar. Pra për Kinën është e rëndësishme të mbrohet me vendosmëri sistemi ndërkombëtar me OKB-në në qendër të tij, rendi ndërkombëtar i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe normat themelore që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, të bazuara në qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.
4. Zhvillimi dhe siguria e brendshme
Pika e fundit përfshin angazhimin e nënshkruesve të paktit për një qasje të ekuilibruar ndaj zhvillimit dhe sigurisë. “Siguria është një parakusht për zhvillimin dhe zhvillimi shërben si garanci për sigurinë. Të gjitha palët duhet të punojnë për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe për të sjellë energji pozitive në zhvillimin e shteteve të Gjirit. Kina është e gatshme të ndajë mundësitë që rrjedhin nga modernizimi i Kinës me vendet e Gjirit dhe të punojë me to për të kultivuar terren pjellor për zhvillimin dhe sigurinë rajonale”- theksohet në dokument. /tesheshi


