Këshilli i Sigurimit i OKB-së kundërshton projekt-rezolutën ruse mbi Ukrainën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka hedhur poshtë një projekt-rezolutë nga Rusia mbi situatën humanitare në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vetëm Kina iu bashkua Rusisë duke votuar në favor të tekstit ndërsa të gjithë 13 anëtarët e tjerë të dhomës abstenuan.

Projekt-rezoluta shpreh “shqetësim të madh për situatën e përkeqësuar humanitare në Ukrainë dhe rreth saj”, në veçanti duke përmendur një numër në rritje të personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatëve nga konflikti ukrainas.

Derisa dënon “të gjitha shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe shkeljet e të drejtave të njeriut”, teksti nuk cakton fajin për luftën.

Duke folur para votimit, e dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se drafti është një përpjekje ruse për të “siguruar mbulim për veprimet e saj brutale” në Ukrainë.

“Është vërtetë e pandërgjegjshme që Rusia pati guximin të paraqesë një rezolutë që kërkon nga komuniteti ndërkombëtar të zgjidhë një krizë humanitare që Rusia vetë e krijoi. Rusia është agresori, sulmuesi, pushtuesi, pala e vetme në Ukrainë, e përfshirë në një fushatë brutaliteti kundër popullit të Ukrainës dhe ata duan që ne të miratojmë një rezolutë që nuk e pranon fajësinë e tyre”, tha ajo.

Përfaqësuesi i Moskës në OKB, Vassily Nebenzia tha se rezoluta e Rusisë u gjykua si dështim para votimit, si dhe theksoi se vendi i tij “refuzon kategorikisht premisën e këshillit që nuk është në gjendje të miratojë një rezolutë për dosjen humanitare në Ukrainë”.

“Kjo është diçka për të cilën përfaqësuesit humanitar të OKB-së në terren do të ishin shumë të interesuar, shumë më tepër se çdo rezolutë humanitare nga Asambleja e Përgjithshme”, tha Nebenzia.

Dukej se ai i referohej një votimi në pritje të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi një rezolutë që do të dënonte për herë të dytë Rusinë për luftën. Për herë të parë, Asambleja e Përgjithshme e votoi këtë rezolutë më 2 mars.

Rezoluta e re, e cila mund të votohet së shpejti, përsëri emëron drejtpërdrejtë Rusinë si agresore dhe rinovon kërkesën e saj që Kremlini të ndalojë menjëherë ofensivën.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi më 24 shkurt, është përballur me dënime ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian (BE), SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar ndër të tjera që po zbatojnë sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 977 civilë janë vrarë gjatë luftës dhe rreth 1.600 të tjerë janë plagosur.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 3.6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.