Komentet e Trump-it nxisin aplikacione mobile që tregojnë origjinën e produkteve
Aplikacionet mobile që ndihmojnë konsumatorët të identifikojnë dhe shmangin produktet me origjinë amerikane janë ngjitur në krye të listave në Danimarkë, pas komenteve të fundit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me blerjen e Groenlandës.
Konsumatorët danezë përdorin kryesisht dy aplikacione për të identifikuar produktet e prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe për të gjetur alternativa nga Danimarka ose vende të tjera. Aplikacioni UdenUSA (Jo-SHBA) ka qenë në rritje të vazhdueshme dhe aktualisht është aplikacioni më i shkarkuar në vend, madje duke tejkaluar ChatGPT në App Store.
Aplikacioni u lejon përdoruesve të skanojnë produktet për të parë vendin e tyre të origjinës. Ai gjithashtu gjen produkte alternative nga vende jashtë SHBA-së dhe i shton ato në shportën e blerjeve. Krijuesit theksojnë se aplikacioni nuk kishte për qëllim të inkurajonte bojkotet, por t’u ofronte konsumatorëve transparencë më të madhe në lidhje me blerjet e tyre.
Siç raporton Euronews, një tjetër aplikacion popullor është Made O’Meter, i cili aktualisht renditet i pesti në App Store në Norvegji. Ekspertët vërejnë se bojkotet e supermarketeve ka të ngjarë të kenë një ndikim të kufizuar, pasi relativisht pak produkte me origjinë amerikane shiten në dyqanet daneze. Vetëm rreth 1% e konsumit të ushqimit në Danimarkë vjen direkt nga SHBA-ja, sipas Louise Agerström Hansen, një ekonomiste në Danske Bank. Kjo gjithashtu e bën të vështirë përcaktimin e efektit të vërtetë të një bojkoti të tillë.
Një mënyrë për të shprehur zemërimin
Studiuesit thonë se aplikacionet mund t’u ofrojnë konsumatorëve një ndjenjë kontrolli. “Shumë njerëz shikojnë lajmet, shohin diçka që nuk u pëlqen dhe zemërohen. Në këtë rast, bëhet fjalë për ne dhe Groenlandën”, tha Pele Guldborg Hansen, një studiues i sjelljes në Universitetin Roskilde, për mediat lokale. “Dhe pastaj thjesht dëshiron të bësh diçka me zemërimin tënd. Pavarësisht se sa i vogël është”, shtoi ai.
Javën e kaluar, mijëra njerëz protestuan në rrugët e Groenlandës dhe Danimarkës kundër çdo përpjekjeje të SHBA-së për të marrë kontrollin e ishullit Arktik. /tesheshi






