Kim Jong Un e pranon “krizën ushqimore” në Korenë e Veriut

Një dokumentar i medias shtetërore të Koresë së Veriut pranoi se në vend po ndodh një “krizë ushqimore”.

Filmi dy-orësh, i quajtur “Viti i Madh i Fitores 2021”, tregon presidentin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un duke diskutuar për mungesën e ushqimit, një pranim i pazakontë nga udhëheqësi, raporton Washington Post, transmeton Koha.net.

“Ajo që nevojitet urgjentisht për të stabilizuar jetesën e njerëzve është të lehtësohet tensioni i krijuar nga furnizimi me ushqime”, ka thënë Kim Jong Un në filmin që u transmetua të martën.

Kim shkoi aq larg duke e quajtur situatën një “krizë ushqimore”, derisa ndër të tjera thuhet se “situata e vendit është më e vështirë se kurrë”.

Situata e ushqimit në Korenë e Veriut u përkeqësua gjatë pandemisë për shkak të mbylljes së rreptë dhe të zgjatur të kufirit të vendit për të luftuar virusin.

Mbyllja dhe refuzimi për ndihmën ndërkombëtare ngadalësoi importet e pajisjeve bujqësore që kontribuan në mungesën e ushqimit.

Kim Jong Un ka thënë në film se vendi ka shfrytëzuar furnizimin e urgjencës me grurë për shkak të krizës, sipas WP-së.

Pranimi në film vjen pasi Kim Jong Un e bëri mungesën e ushqimit një çështje kryesore në mbledhjen plenare të komitetit qendror të Partisë së Punëtorëve në pushtet, në fillim të vitit.